I ftuar në rubrikën sportive të Star Sport ishte edhe themeluesi dhe presidenti i akademisë Ajaks, Arben Haveri. Ai ndal në komentet e tij tek dy ndeshjet e fundit të Vllaznisë duke theksuar një përmirësim të lojës së kuqebluve, si edhe objektivin për një vend në Europë, që do shpëtonte sezonin jo vetëm sportiv, por edhe financiarisht.

Haveri tha: “Mendoj se Vllaznia e ka rritur disi nivelin e saj në këto dy ndeshjet e fundit kundër Partizanit në kupë dhe Teutës në kampionat. Pavarësisht se skuadra u ndal në një barazim në minutën e fundit në Durrës, them se kjo erdhi ndoshta si pasojë e fatit të keq apo edhe ndonjë pakujdesie nga ana e arbitrit.

Vllaznia besoj se është në rrugën e duhur për Europën, gjë që do shpëtonte sezonin ekonomikisht. Sepse e dimë që për një klub shqiptar nëse nuk futet në Europë është e vështirë të mbijetosh dhe të konkurosh për vendet e para në sezonin pasardhës.

Ekipi duhet të jetë i përqendruar deri në fund të kampionatit. Do ishte gabim i madh nëse fokusi do ishte vetëm tek finalja e kupës kundër Laçit në fund të edicionit.

Nëse kampionati lihet në “harresë” mund të ndikojë shumë në fund, prandaj them se ekipi që nga ndeshja e së shtunës kundër Partizanit në kampionat të luftojë fort, në mënyrë që në fund të jetë edhe i qetë psikologjikisht për të luajtur finalen e kupës”.
Endri ÇINARI