Shqipëria rrezikon një gjobë të majme ose dënim të fushës pa spektatorë pas hedhjes së një “lumi” sendesh të forta në fushë në ndeshjen e djeshme.

Ka qenë një episod i shëmtuar në “Loro Boriçi” pas golit të dytë të Turqisë, shënuar nga Hakan Çalhanoglu në minutën e 55-të.

Kjo mund të kushtojë shtrenjtë për Federatën Shqiptare të Futbollit sa i përket ndeshjes së radhës që kuqezinjtë do të luajnë në shtëpi për eliminatoret e Europianit 2020.

Sa i përket Grupit H, e radhës është më 11 qershor, pikërisht Shqipëri-Moldavi, e parashikuar madje të zhvillohet në stadiumin e ri “Arena Kombëtare” në kryeqytet.

Delegati i ndeshjes me siguri ka mbajtur shënim gjithçka dje, aq sa edhe fonia e stadiumit pas urdhrit të drejtuesve të FSHF-së nuk mjaftoi në ndërgjegjësimin e tifozërisë.

“Lutemi të mos hidhni sende në fushë, pasi do të penalizohemi”, ishte thirrja nga fonia e stadiumit pas golit të dytë të Turqisë, por më kot pasi shishe të llojeve të ndryshme pushtuan një pjesë të fushës.