Vendi i dytë dhe medalja e argjendtë e fituar pasditen e djeshme në Ballkaniadën e të rinjve që u zhvillua në Stamboll, e kanë entuziasmuar së tepërmi atletin shkodran Heldi Valikaj.
I datëlindjes 9 mars 2002, sportisti i klubit Vllaznia mendon se kjo medalje do ta ndihmojë shumë në vazhdimin e karrierës së tij. Në një prononcim për “Shkodra Sport” Valikaj do të shpjegonte edhe emocionet e medaljes së argjendtë duke thënë:
“Nga mënyra si u zhvillua gara, pretendova deri në fund për medaljen e artë por fati ndoshta nuk ishte me mua këtë herë. Gjithsesi edhe vendi i dytë dhe medalja e argjendtë që mora në këtë Kampionat Ballkanik më kanë entuziasmuar shumë. Kjo ishte hera e parë që unë garova me sportistë të moshës time dhe më shërbeu edhe për të parë veten në raport me ta”.
Ndërkohë javën e ardhshme Heldi do të niset drejt Azerbajxhanit për të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Rinor dhe i pyetur se me çfarë pretendimesh do të shkojë në këtë kompeticion të rëndësishëm, ai përgjigjet:
“Tashmë i njoh disa prej konkurrentëve të mi dhe medalja e fituar në Stamboll do të motivojë edhe më shumë për të bërë mirë edhe në Lojërat e Bakusë dhe pse jo, për të synuar edhe atje medalje”.
Valikaj stërvitet prej disa vitesh nën drejtimin e trajnerit Fatjon Serhati dhe i pyetur në lidhje me kontributin që ai ka tek këto sukses, ai përgjigjet: “Më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Edhe në garën që u zhvillua në Stamboll më ndihmoi me kurajon që më dha duke më bërë të kem më shumë besim tek vetja se mund t’ia dal. Me përkushtimin e tij gjatë stërvitjes prej shumë vitesh, më ka ndihmuar të rritem nga ana cilësore dhe shpresoj të vazhdojmë kështu me të tjera suksese edhe në të ardhmen”.
© shkodrasport.com