Partizani e ka fituar për herë të fundit trofeun e Kupës më 19 maj 2004 dhe heroi i këtij takimi ka qenë mbrojtësi Henri Ndreka, që në minutën e 12-të shënoi golin e vetëm të ndeshjes ndaj Dinamos. Kështu që bëhen 16 vite që Partizani nuk e fiton Kupën dhe për ta thyer tersin e këtij trofeu, duhet që si fillim të përmbyset humbja e para dy javëve me Besëlidhjen. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Henri Ndreka rrit optimizmin në kampin e kuq, pasi sipas tij përmbysja është më se e arritshme.

Ish-lojtari i dy ekipeve, në prononcimin e tij tregon edhe problematikat që kanë dy ekipet, ku oshilacionet e kampionëve i lidh me ndryshimet e bëra në muajt e fundit, ndërsa tranzicionin e gjatë te Besëlidhja e shpjegon me drejtimin, që sipas tij klubi nuk është në dorë të njerëzve të sportit. Ndreka tregon se ku duhet të frymëzohet Partizani për të përmbysur humbjen 3-0, madje ai i shikon kryeqytetasit edhe në garë për fitimin e titullit

Si e shikon Ndreka Partizanin aktual, duke e krahasuar me atë të sezonit të shkuar që fitoi titullin kampion?

Nuk duhet të nisemi nga titulli kampion se për futboll po flasim dhe vuajtje kanë edhe skuadrat me famë botërore, siç janë Barcelona apo Real Madrid. Pra, rënie kanë edhe klubet e mëdha, kështu që nuk është e thënë se do të fitojë përherë i njëjti ekip. Por, krahasimi nis që nga lojtarët që u afruan dhe ata që u larguan te Partizani në këtë periudhë. Titullin kampion e fituan me lojtarë shumë të mirë, por u larguan shumë prej tyre. Kanë ardhur të tjerë që nuk dolën siç duhet. U largua trajneri që i shpalli kampionë. Pra shkurt, te Partizani u prishën ekuilibrat e krijuara nga skuadra që fitoi titullin e fundit.

Pra,luhatjet e këtij sezoni kanë të bëjnë me ndryshimet në ekip?

Sigurisht, ndryshimet krijojnë luhatje. Largo një lojtar kampion dhe vjen një tjetër që do kohën e tij të përshtatet. Futbolli ndaj është i bukur, se është i paparashikueshëm dhe gjërat nuk ecin siç i mendon në letër, por në fushën e lojës. Pastaj, duhet pranuar se lojtarëve të ndryshëm u bie forma për një kohë të caktuar. Janë gjëra të pranueshme, gjersa flasim për rënie forme të Mesit, llogarit çfarë mund të thuhet për futbollistët që luajnë në futbollin shqiptar. Lojtari nuk rri gjithë kohën në formë maksimale. Janë gjëra komplekse në futboll që ndikojnë tek oshilacionet e një ekipi.

Partizani u mund 3-0 para dy javësh nga Besëlidhja në Lezhë dhe sot kërkon kualifikimin. Sa shanse kanë të kuqtë që ta realizojnë këtë mision?

Për mua është ndeshje e hapur dhe rezultati i sfidës së parë nuk do të thotë shumë. Bëhet fjalë për përmbysje klubesh shqiptare, që për mua janë më se të arritshme. Pastaj kemi shembuj përmbysjesh të tilla edhe nga klube me famë. Shembulli më konkret ishte vjet, Barcelona e mundi Liverpulin 3-0 në shtëpi, por në ndeshjen e dytë anglezët ia kthyen 4-0. Ndaj nuk mund të quhet çudi kualifikimi i Partizanit sot, pasi dihet se Besëlidhja ka 20 vite që është në ato ujëra. Madje më vjen keq për klubin lezhjan për tranzicionin e gjatë, pasi jam rritur aty. Partizani është një klub i madh, që nuk duhet harruar. Unë jam rritur te Besëlidhja, por karrierën më të madhe e kam pasur te Partizani dhe nuk e harroj kurrë si klub, ndaj e respektoj gjithmonë.

Pse ndodh kjo te klubi lezhjan?

Kjo ndodh për faj të vetë atyre që e drejtojnë futbollin në Lezhë. Drejtimin duhet ta kenë njerëzit e sportit, ata që janë adapt për atë punë dhe që mund të bëjnë më mirë. Nuk kam asgjë me Gjok Nokën, por e dinë vetë se çfarë bëjnë bashkitë. Sporti duhet të shkojë te sporti, biznesi te biznesi. Çdo gjë duhet bazuar sipas profilit të caktuar. Presidentët financojnë, por ekipin e drejtojnë ata që e dinë se çfarë është futbolli. Shembull kemi presidentin e Partizanit, Gaz Demi, që mori klubin pa nam e nishan, e ngriti dhe e shpalli kampion. Tani po e bën edhe me shtëpi të re. Dihet se cilat kanë qenë arritjet e fundit të Partizanit, ku trofetë ishin Kupa dhe Superkupa që në kohën time kur kam qenë pjesë e të kuqve, në 2004-ën. Për mua nëse sporti do të drejtohet nga njerëzit e sportit, progresi do të vijë, ndonëse duhen pranuar edhe gabimet.

Meqë dolët te trofetë, Kupën e fundit Partizani e ka fituar në 2004-ën me golin tuaj ndaj Dinamos. Pas thyerjes së tabusë titull, që vinte pas 26 vitesh, mund të kthehet edhe trofeu i Kupës pas 16 viteve, apo gjithçka varet nga sfida e sotme me Besëlidhjen?

Po e përsëris sërish, nuk është surprizë kualifikimi i Partizanit sot ndaj Besëlidhjes, por një detyrim nga të kuqtë. Partizani i ka lojtarët shumë herë më të mirë se skuadra lezhjane, ka më shumë eksperiencë në këto kompeticione, ndaj mund të kualifikohet dhe ta fitojë trofeun në fund. Të dyja ekipeve u uroj suksese, pasi nga Lezha jam, por edhe te Partizani jam rritur pasi 16 vjeç kam shkuar aty.

Po për kampion e shikoni Partizanin, duke ditur se ka para Tiranën dhe Kukësin dhe është 7 pikë larg kreut?

Kampionati për mua është i hapur, sepse Superiorja ka ekipe të forta dhe beteja për titullin gjithnjë ka shkuar deri nga fundi. Por këtë vit lufta për kampion është më e zgjeruar. Ashtu siç ka gabuar Partizani në këtë periudhë, mund të gabojë edhe Kukësi apo ekipet e tjera në javët në vazhdim.

A është kjo javë vendimtare për Partizanin për vazhdimësinë, ku sot do të kërkojë kualifikimin në Kupë dhe të dielën luan në Laç për kampionat?

Sigurisht që janë ndeshje vendimtare. Kualifikimi në Kupë do i jepte Partizanit më shumë moral fillimisht për ndeshjen e radhës në kampionat dhe vazhdimësinë. Në Laç është një fushë e vështirë, por nuk është se Partizani nuk ka fituar aty. Kështu që për mua Partizani i ka mundësitë që t’ia dalë me sukses në të dyja këto takime të javës.