Vllaznia kryeson kampionatin shqiptar dhe jo pa meritë, pasi është bërë një punë e madhe që shkodranët ta shikojnë edhe një herë ekipin e tyre në krye.

Mesfushori Erald Marku ka folur në emisionin “Zona Gol” për ecurinë e Vllaznisë, ku është shprehur se skipi i pristeb këto paraqitje dhe rezultate, pasi punojnë shumë çdo ditë në stërvitje.

Ai ka theksuar se veç anës fizike trajneri punon shumë edhe me anën taktike, aq sa të gjithë lojtarëve u janë “ngjitur” në kokë skemat, ndaj edhe detyrat në fushë i bëjnë shumë mirë.

“Të them të drejtën ka qenë një fillim pak i vështirë duke marrë parasysh vonesën e kampionatit, por neve si ekip na shërbeu, pasi janë afruar dhe larguar shumë lojtarë. Kemi një grup të mirë edhe kemi pasur disa objektiva para se të fillonte kampionati. Kemi bërë shumë mirë, pritshmëritë janë të larta dhe deri diku i kemi pritur këto rezultate dhe paraqitje.

Është një punë e madhe e bërë në stërvitje, përvec stërvitjeve fizike kemi punuar shumë edhe taktikisht. Ndonjëherë bëjmë shaka dhe ndodnjëherë themi kush do çohet sot në mësim për t;u përgjigjur. Na janë ngjitur në kokë dhe lojtarët i bëjnë detyrat shumë mirë”, tha Marku.

Për sa i përket mënyrës së festimeve të golave, Marku ka thënë se golat u dedikohen shokëve të stolit që i mbështesin gjithmonë.

“Kemi një frymë shumë pozitive në ekip, shumë entuziasëm. Kjo vjen edhe për shkak të rezultateve sigurisht, por edhe pas ndeshjes me Kukësin nuk e ulëm kokën por morëm 3 fitore radhazi. Për sa i përket festimeve të gjithë shkojmë te stoli për t’u dhënë mbështetje siç ata na mbështesin ne”, tha Marku.

Çfarë ka ndryshuar te Vllaznia këtë vit?

Çdo gjë ka ndryshuar, që nga trajneri, stafi. Ka ardhur edhe donatori Alban Xhaferri që ka qenë mbështetje për ekipin. Edhe blerjet po e shfaqin veten. Këto komponentë na kanë bërë një grup kaq të fortë. Vjet kanë qenë gjëtrat jo kaq strikte sa këtë vit. Situata është më serioze, duke filluar nga stërvitjet apo organizimi i shumë gjërave./newsport/