Murinjo u rikthyer në Ligën e Kampionëve ashtu siç vetëm ai di të rikthehet. Tekniku portugez arriti të rikthehej me fitore, aty ku Totenhemi mundi me rezultatin 4-2 Olimpiakosin, teksa në fillim ishte në disavatazhin e dy golave që në minutat e para të takimit. Megjithatë, londinezët nuk u dorëzuan për asnjë moment dhe arritën të fitonin takimin teksa protagonist ishte dhe një fëmijë.

Pikërisht djali i përcaktuar për të kapur topat, ndihmoi jo pak skuadrën në golin e barazimit. Pas një rivënie anësore, ai e hodhi shumë shpejt topin në fushë ku më pas Lukas krosoi në zonë për Kejnin duke shënuar golin e barazimit.

Pikërisht për këtë djalosh që stepi mbrojtjen greke, elozhe ka edhe trajneri Murinjo dhe nuk ndodh shpesh të dëgjosh fjalë të tilla nga portugezi.

“Të bësh këtë përmbysje duhet të kesh një djalë që kap topat shumë të mirë. Unë kur isha 10 deri 16 vjeç kam qenë një kapës shumë i mirë i topave dhe ashtu ishte edhe ky fëmijë. Ai e kuptonte ndeshjen, e lexoi lojën dhe nuk ishte vetëm për të parë stolat ose dritat. Ai jetonte me ndeshjen dhe luajti mirë, shumë mirë.

Në fund, doja ta ftoja atë djalosh në dhomat e zhveshjes për të festuar me ne, por u zhduk, nuk e di se ku iku por di që ai ishte një djalosh shumë i zgjuar”, tha Murinjo. /VipSport/