Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 1-0 me Andorrën në “Air Albania”. Sfida që vlente për xhirron e fundit të kualifikueseve të Botërorit Katar 2022 nuk ka qenë e lehtë për kuqezinjtë, që i janë falur një goli të Çekiçit nga pika e bardhë e penalltisë.
Ndeshja ka nisur mirë për tanët, që kanë shpërdoruar disa raste. Në fraksionin e parë edhe miqtë kishin shanset e tyre, teksa do duhej një penallti për tri pikë.
Shqipëria i mbyll kualifikueset në vendin e tretë në grupin I, pa pasur mundësinë për fazën finale të Botërorit. Vuajtja për këto tri pikë vendos një rekord për tanët, që e mbyllin me 18 pikë si asnjëherë më parë në kualifikuese.
Endri Çekiçi, autori i golit të vetëm tha pas ndeshjes:
“Goli i parë dhe emocionet? Nuk festova sepse nuk kishte tifozë. Kam ëndërruar të festoj me ta në stadium. E kam ruajtur golin kur të vijnë ata. Pjesën e parë kishim mjaft shanse për të shënuar. Ata kishin disa raste që ne neglizhuam, mos na ndodhin me skuadrat që të ndëshkojnë. Na duhej një fitore pas asaj ndeshje me Anglinë për të qetësuar situatën.
Goli më shumë shkon për mamin sepse shënoj sa herë ajo vjen në stadium, më shumë për të se për babanë. Më shumë përgjegjësi? Kritikat do I vendos në vesh, me shtimin e minutave vijnë përgjegjësitë, kjo ishte ndeshja ime e parë e plotë”, tha Çekiçi./newsport/