Shkruar nga Gjergj KOLA
Vllaznia U18 do të marrë pjesë në Turnen e famshëm “Viareggio Cup” që organizohet prej 76 vitesh në Itali. Kjo është hera e parë që një ekip shqiptar merr pjesë në një turne të tillë dhe padyshim që kjo është për t’u përshëndetur. I takon ekipit kuqeblu që ta rregjistrojë këtë moment historik për futbollin shqiptar.
Edicioni i rradhës i këtij turneu nis javën e ardhshme (9-23 mars) dhe në kampin shkodrran gjithçka tashmë është gati teksa do të synohet një paraqitje sa më e mirë, ndonëse niveli i garës do të jetë shumë i fortë.
Në edicionin e sivjetëm marrin pjesë 24 ekipe, nga të cilat 7 janë italiane (Fiorentina, Genoa, Sassuolo etj) si dhe 17 të huaja që përfaqësojnë 10 vende dhe 3 kontinente) ku veçohet prania e plot 12 ekipeve nga Afrika, ndërsa Shqipëria siç thamë përfaqësohet nga Vllaznia.
Kjo e fundit pas hedhjes së shortit, është mësuar se do të jetë pjesë e grupit A1 sëbashku me ekipet e Genoa (Itali), Mavlon (Nigeri) dhe AS Police Football (Burkina Faso). Ndeshjet në grup do të zhvillohen në datat 9, 11 dhe 13 mars. Në turin 1/16 do të kualifikoheen dy më të mirat e secilit grup dhe katër skuadrat më të mira ndër vendet e treta.
Vllaznia sigurisht që do të kërkojë të paraqitet sa më mirë këtë turne prestigjioz dhe pse jo të ecë sa më gjatë në të. Ajo zyrtarisht është skuadra e parë shqiptare që merr pjesë në këtë turne duke shtuar tashmë edhe Shqipërinë në hartën e shteteve pjesmarrëse në 76 edicionet e Viareggio-s.
Vllaznia po ashtu siç dihet është fituesja e të parit turne të “Eagle Cup Albania”, ekuivalenti i “Viareggjio Cup” në Shqipëri dhe njëkohësisht është skuadra e parë që bashkë me Genoa diskutuan të parën Superkupë të “Viareggio Cup”. Shkodra si gjithnjë edhe këtu është e para dhe një meritë absolute për këtë gjë ka Vasenka Rangu Leka, presidente e Fondacionit “AlbItSol” që ka bërë ndërmjetësimin për të gjitha këto.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


