Mançester Junajtid do të lejojë që Den Gor të largohet në formë huazimi nga skuadra këtë muaj. 19-vjeçari ka shijuar një vit shumë pozitiv sa i përket përmirësimit në “Old Trafford”, duke luajtur dy herë për ekipin e parë këtë sezon.
Por klubi dëshiron ta shohë mesfushorin të fitojë më shumë përvojë, përpara se t’i jepen më shumë mundësi nga trajneri Erik ten Hag. Për shërbimet e tij interesohen disa klube të Ligës së Parë, ndërsa Boltoni dhe Blekpulli po e ndjekin me interes zhvillimin e tij. Më poshtë në klasifikim janë edhe skuadrat e Port Vejlit, Shrusbëri Taunit dhe Flitudit që kanë kërkuar informacion për adoleshentin.
Mançester Junajtid ka huazuar shtatë lojtarë këtë janar. Doni van de Bek është dërguar tek Aintrahti i Frankfurtit dhe Xhejdën Sanço u rikthye gjithashtu në Bundesligë, te Borusia e Dortmundit. Hanibal Mejbri ka shkuar te Sevilja, ndërsa Alvaro Fernandez tani është te Benfika. Të dy mund të bëhen transferime përfundimtare gjatë merkatos së verës.
Ndërkohë, sulmuesi Xho Hagill është huazuar te klubi i Ligës së Parë, Burton Albion. Një divizion më poshtë, Forest Grini ka huazuar Maksi Ojedelen deri në fund të sezonit, ashtu si Ris Benet te Stokport.