Huazimet janë kthyer në një modë në futbollin botëror aq sa skuadra të ndryshme tani kanë kthyer në modë blerjen e pastaj huazimin e shumë futbollistëve derisa mendojnë se janë të gatshëm për të dhënë kontributin për ta. Por kjo gjë do të ndryshojë shumë shpejt, pasi FIFA do të vendosë në zbatim një rregullore të re që bllokon huazimet pa kriter të klubeve.

FIFA ka konstatuar se klubet e mëdha blejnë shumë futbollistë që në moshë të re të cilët më pas i huazojnë nëpër klube të ndryshme, duke i hequr mundësinë ekipeve më të vogla që t’i blejnë e të përfitojnë prej rritjes së tyre si në aspektin sportiv, ashtu edhe ekonomik.

Për këtë arsye, është bërë gati rregullorja e re e cila do të hyjë në fuqi që nga sezoni 2020-2021 e që shpejt do të zyrtarizohet nga IFAB.

Klubeve nuk do t’u lejohen të japin në huazim më shumë se 8 futbollistë mbi moshën 22-vjeçare. Për më të rinjtë nuk do të jetë problem, pasi FIFA e cilëson thelbësor huazimin e tyre për t’i rritur në skuadra të tjera për sa kohë që nuk gjejnë hapësira në klubet përkatëse.

Ndërkohë, numri parashikohet që të ulet me një në sezonin pasardhës, duke shkuar në 7, e më pas përfundimisht në 6 që nga sezoni 2022-2023.

Shumë klube do të duhet të ndryshojnë plotësisht strategjinë e tyre me lojtarët që kanë në përbërje, si dhe pritet që të ndryshojë strategjia që përdoret tani shpesh në merkato, ku lojtari jepet huazim për një periudhë të gjatë kohe me të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të tij.

Diçka që në Europë është kthyer në modë për të evituar shkeljen e Fair Play Financiar të UEFA-s e për të cilin tani do të duhet të gjejnë një strategji tjetër. /vipsport/