Opinion nga Besnik DIZDARI
Nuk është Vllaznia problemi kryesor i kampionatit. Vllaznia tashmë është një problem i vjetër i kampionatit. 16 vjet pa titull kampion dhe 6 vjet pa qenë ndër tri më të mirat. Madje nuk është problem i kampionatit as fakti se Vllaznia ka plot 6 javë që nuk fiton.
Qoftë dhe duke e ndjekur Vllazninë te ndeshja me kryesuesen KF Kukësi, teksa e pashë se si humbi. Të paktën për mua, në një mënyrë të pamerituar, sepse jo vetëm që për 90 minuta qe e barabartë me kryesuesen, por para se kjo të kalonte në epërsinë që i dha fitoren, skuadra shkodrane qe eprore në raste shënimi. Dhe humbi.
E pashë jo pak herë golin e bukur të Pejiçit 6 minuta para mbarimit. Vërejeni me vëmendje. Muri (barrikada) i Vllaznisë ka bërë një kërcim të lehtë dhe mbasi u shkëput nga toka, teksa ka rënë duke prekur përsëri tokën, ka zvogëluar kësisoj lartësinë e tij, duke ia lehtësuar fort rrugën për në rrjetë topit të Pejiçit. Dhe 1-0 për KF Kukësin, që ndoshta ka marrë një nga fitoret më të pamerituara në këtë kampionat. Mirëpo, dihet, pasuria shkon gjithnjë po tek i pasuri.
Ku po dua të dal? Po dua të dal te një cilësi që jo vetëm Vllaznia, por edhe vetë futbolli shqiptar e ka pasë. E kanë quajtur cilësia e “futbollit luftarak”. Nëse do të marrim gjithë komentet e shtypit të huaj në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare më të mira të skuadrave shqiptare, klubesh apo Kombëtare, përcaktimi kryesor që na kanë përmendur më fort se diçka tjetër ka qenë “shpirti luftarak”. Madje, deri në superlativën e asaj që tha shtypi jugosllav mbas Lojërave Ballkanike, që “këta me shpirtin e tyre mund të krahasohen vetëm me brazilianët”.
Me kalimin e kohës, ne ky përcaktim filloi disi me na u mërzitë, sepse përveç “shpirtit luftarak” ne kërkonim edhe teknikë e taktikë, të cilat futbolli shqiptar i ka pasë disi të vogla. Saqë edhe sot, nëse do të përcaktonim se cilët ishin lojtarët lojtarë shqiptarë të një niveli të lartë tekniko-taktik, nuk na del një numër fort i madh.
Sidoqoftë, jorrallë “shpirti luftarak” na ka nxjerrë fitimtarë, aq sa herë kjo ka ndodhur. Bie fjala, më duket se dy rastet më klasike të triumfit të “shpirtit luftarak” të Kombëtares së Shqipërisë janë ato të barazimit 0-0 me nënkampionen e botës, RF të Gjermanisë më 1967 dhe ajo 2-1 me kampionen e Europës, Greqinë më 2004.
Kështu pra, po krejt papritmas, humbja e Vllaznisë ndaj skuadrës së Kukësit ma çoi mendjen mû te “shpirti luftarak”. Dhe po kaq papritmas thashë me vete: “Po! Ka humbur shpirti luftarak!”. E Vllaznia e sotme më duket një nga skuadrat, e cila si pakkush nuk e ka më “shpirtin luftarak” të saj, që ka qenë ndër më origjinalet e vetëm mund ta krahasoja me atë të 17 Nëntorit të viteve ’60.
Shkodra ka pasë lojtarë, që nisin me Muhamet Halilin e Paraluftës e që vazhdojnë me Preng Gjeloshin, Muhamet Dibrën apo Xhelal Jukën e Mbasluftës – të cilët, përveç cilësive të tjera që kishin, ishin edhe tipikë të “shpirtit luftarak”. Duke ardhur tek e vona, fundi i viteve ’60 e fillimi i viteve ’70, te Frederik Çapaliku, Hajro Lekaj e Lekë Koçobashi, të cilët kanë marrë “gjak në vetull”, siç thotë kjo figurë e gjuhës shqipe.
Të gjithë këta nuk kanë qenë më të mëdhenjtë e Vllaznisë. Nuk kanë qenë të kalibrit të Loro Boriçit e as të treshes së famshme Rragami – Zhega – Bizi. E, meqë jemi në 45-vjetorin e titullit kampion të Vllaznisë 1972 (do t’i kthehem më vonë këtij përkujtimi sepse pat ndërruar kahun e titujve të futbollit shqiptar mbas bukur 26 vjetëve), lavdia e kësaj tresheje pra ndoshta nuk do të përkryhej pa shpirtin luftarak të një Frederik Çapaliku, të një Hajro Lekaj apo të një Lekë Koçobashi.
Kështu, papritmas, po më duket se zbulova treshen e fuqishme të ndeshjeve luftarake të Vllaznisë së dikurshme, këtë Çapaliku – Lekaj – Koçobashi. Që nga ana tjetër më dukej se lindte që nga porta e paprekshme e një Paulin Ndoje Dihet, ndërkaq, kush ka luajtur përballë treshes Rragami – Zhega – Bizi është “rrëzuar” prej teknikës së madhe të tyre. Madje pa ia arritur për t’ua prekë fanellën sadopak. Po kush ka luajtur përballë treshes Çapaliku – Lekaj – Koçobashi, që shpesh me Rauf Çangën bëhej katërshe, disi e zgjatur dhe gjarpëruese qysh prej mbrojtjes te mesfusha e deri te sulmi, çdo kundërshtar do të ketë ndier frikën e një dueli thuajse shpatash, me kësi lojtarësh kaq të fuqishëm e luftarakë të pakompromis.
Sot, te Vllaznia e Shkodrës nuk di a gjej ndonjë lojtar “luftarak”. Me çfarë butësie e pësoi golin e Pejiçit! Nuk pati asnjë “burrë nane” që të thërriste, të bashkonte, të egërsohej në kuptimin korrekt futbollistik të kësaj fjale. Qoftë dhe duke vonuar paksa vendosjen e murit e duke pranuar qoftë edhe ndonjë karton të verdhë, që sot e bëjnë për bukuri edhe lojtarët më të mirë të botës. Pak a shumë atë që për shembull trajneri i Napolit, Sarri – ku është titullar një lojtar i shkëlqyeshëm nga Shkodra i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj – ua ka mësuar lojtarëve të tij “me e mbajtë topin dhe me ndërrue ritmin”, siç shkruante këto ditë gazetari Luigi Garlando.
Mirëpo, doemos 0-1 vetëm 6 minuta para mbarimit, kur jo vetëm Vllaznia meritonte barazimin, por me pak fat mund të kishte mbërritur te fitorja para se këtë ta sendërtonte Pero Pejiçi falë edhe “kavalerizmit” tashmë, disi anakronik të pashpjegueshëm të kësaj Vllaznie.
2.
Dhe nisa të mendoja më gjatë. Po skuadrat e tjera e kanë futbollistë luftarakë? Nuk më vinte përgjigjja. E pra edhe ato kanë pasur dikur jopak futbollistë luftarakë. Prej Gani Merjes, Lin Shllakut e Dhimitraq Gogonit të Partizanit, e deri te një Tafil Baçi a te një Skënder Halili e Gëzim Kasmi të 17 Nëntorit apo dhe te një Lorenc Vorfi i Dinamos. Këta sa për të përmendur ndonjë emër të spikatur që vetvetiu më shkuan në mend, e pra, pa u mbështetë në arkiv.
Nuk po shohim futbollistë luftarakë te Kampionati i Shqipërisë. Nga ata që e lënë fushën e lojës me fanella që iu rrjedh pa ia nda “uji i sakrificës”, nga ata që shkrihen në fushë, që me futbollin e tyre luftarak “trembin” lojtarët e skuadrës tjetër, e cila, nga ana e saj, po aq është e detyruar t’i bëjë thirrje po “futbollit luftarak”, që më butë mund ta emërtonim “shpirti i lartë i garës”.
Skuadrat e kampionatit të Shqipërisë sot kanë lojtarë tejet të butë, joshpërthyes, për fat jo dhe aq të vendosur për lojë që dikur i kemi thënë “burrërore”. Skuadrat e kampionatit të sotëm të Shqipërisë sigurisht kanë lojtarë të mirë, por nuk kanë lojtarë vendimtarë të një rreptësie pozitive e të pakompromis, nëse mund të përcaktonim kë- sisoj. Lojtarë që ndikojnë aq fort për kthesa, për përmbysje, për mosdorë- zime kaq të lehta si këto që shohim çdo javë deri 4 apo 5 minuta para mbarimit. Kampionati i sotëm i Shqipërisë nuk është luftarak, ndonëse për turpin e një shqipeje të varfër e të gabuar, vazhdojnë ta quajnë kampionat i ndeshjeve “të luftuara”.
Nuk po guxoj të them ndërkaq se prania gjithnjë e më pak e lojtarëve vendas, pra të dalë nga farishtet e klubit – çka ka humbur shpirtin e dikurshëm të një “autoktonie” të matur të futbollit të qytetit tënd – po aq ua ka humbur “shpirtin luftarak” skuadrave të kampionatit të sotëm të Shqipërisë, karakteristikë tanësore e vetë futbollit shqiptar. Dhe nuk ka më kthesa të një emocioni të madh, nuk ka befasira, nuk ka përmbysje. Teksa vërejmë mandej se bie fjala, 9 javët e fundit, vetëm dy e shumta tri skuadra kanë ndërruar vendet në renditje!
Mos e kalova masën dhe po i akuzoj djemtë e kampionatit se midis tyre nuk ka futbollistë luftarakë, po e po, por që edhe po u mungon sakrifica e fuqishme që kërkon sporti ynë i dashur që quhet futboll?…
Edhe këtë javë në renditje pati vetëm dy ndërrime vendesh. Zbriti Flamurtari në vend të 8-të dhe u ngjit Teuta në vend të 7-të. Dhe vetëm kaq, ndonëse “për fat”, kampionati dha tronditjen e dy kryeqytetasve Partizan e SK Tiranë, madje i pari prej një skuadre tërheqëse që megjithatë nuk po nxitojmë ta quajmë “zbulimi i kampionatit”, që është Luftëtari i Gjirokastrës.
A ka më diçka tjetër të veçantë? Sigurisht që ka, edhe pse mungojnë lojtarët luftarakë dhe vetë shpirti luftarak. Kemi në krye me 4 pikë epërsi skuadrën e Kukësit me çudinë se nuk jeton në Kukës, por në Tiranë. Aq sa gati na duket skuadër e Tiranës. Kemi fundin që papritmas bëhet tejet i baraspeshuar, një baraspeshë për rënie që nis me Laçin e Flamurtarin, vazhdon me Teutën e për pak sa nuk mbërrin edhe te Vllaznia.
Ndoshta Shqipëria ka vendosur të ketë një kampione të re që do të ishte e 9-ta në histori. Mund të jetë pra, skuadra e Kukësit. Mirëpo, nëse në fushë nuk do të shfaqen lojtarët luftarakë, ta do mendja se vështirësitë do të shfaqen gjithandej. Kë- sisoj, përveç asaj çka ajo di teknikisht, skuadrës së Kukësit detyrimisht do t’i duhet t’i kërkojë ndihmë edhe futbollit luftarak. Nga ana tjetër, nëse Partizani e Skënderbeu do të donin ta përmbysnin situatën e kryesuesit, them se edha ata do të kenë fort nevojë për anën “luftarake” të futbollit. Nëse skuadrat e rrethit sapo të zgjeruar, ai i rënies apo mosrënies, do të luajnë futbollin e çasteve letargjike, pa iu kthyer futbollit luftarak, më keq për to.
Me humbjen e “shpirtit luftarak”, mendoj se futbolli shqiptar ka humbur “Nordin” e tij. Ka humbur një nga karakteristikat më origjinale të tij. Do t’i duhet t’ia kthejë vetvetes këtë cilë- si. E, kjo “paqe” futbollistike e fushave të blerta shqiptare, për fat të keq, edhe me tribuna thuajse të boshatisura, nuk bën pjesë as në strategjinë e futbollit të sotëm modern.
*Opinioni është botuar në gazetën “Panorama Sport”