Vllaznia ka fituar 1-0 ndaj Teutës dhe ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë ndonëse nuk kanë zhvilluar një 90 minutës aq të mirë sa pesë ditë përpara me Kukësin, i janë gëzuar golit të vetëm të takimit shënuar nga Tafili, gol ky që ka mjaftuar për ta fituar këtë ndeshje. Për më tepër, e rëndësishme është që ata nuk kanë pësuar gol, e kjo është një plus për vetë specifikën që kanë ndeshjet e kupës.
Vllaznia duket se e fillon mirë ndeshjen teksa në fushë nga minuta e parë ka edhe Bakajn. Por në fakt rastin e parë për shënim e kanë miqtë me anë të Maganit. Në minutën e 15-të ai shfaqet i lirë brenda zonës shkodrane, e dërgoj topin mbi portierin Agoviç por për fatin e Vllaznisë,ai përfundon paksa mbi traversë. Ndërkohë vendasit mundohen të tregohen racionalë me lojën e tyre dhe në të parin rast që krijojnë, arrijnë të shënojnë. Vrapi nga rivënia anësore hedh një top të gjatë në zonë, ai largohet nga një mbrojtës dhe përfundon tek këmbët e Tafilit, që nga jashtë zone gjuan fort dhe topi përfundon në rrjetë. Gol që do t’i jepte qetësinë kuqebluve por ndërkohë do të ishte Teuta ajo që në fundin e pjesës së parë do të kishte një tjetër rast me anë të Bangal por topi i guajtur prej tij përfundon jashtë. Pjesa e parë përfundon 1-0 për Vllazninë. Në pjesën e dytë është e njëjta tabllo. Në minutën e 55-të kapiteni Shtubina shënjestron portën por topi i gjuajtur prej tij përfundon në duart e portierit kundërshtar. Teuta nuk heq dorë nga objektivi i saj për të shënuar dhe ka një rast me anë të Prognit por pret Agoviç. Në minutat e fundit të ndeshjes, në një kundërzbritje të shpejtë, Kalaja, Hebaj dhe Vecaj duhej të kishin rrezikuar seriozisht portën durrsake por nuk ia dalin dot duke humbur një mundësi të pastër. As 4 minutat e shtesës nuk do dhurojnë gjë tjetër dhe në këtë mënyrë krejt ndeshja mbyllet me fitoren e Vllaznisë 1-0 që do të shkojë më e qetë pas dy javësh në “Niko Dovana” duke patur ajo në dorë fatin e kualifikimit për në katërshe të këtij kompeticioni.