Nga Endri ÇINARI

Vllaznia pas 9 javëve të para të kampionatit, të cilat kanë mbyllur edhe fazën e parë të tijën është skuadra që ka shënuar më shumë se kushdo në elitë. Me shkodranët që e kanë gjetur golin 15 herë, duke qenë skuadra lidere në këtë aspekt. Ku janë plot 9 futbollistë të ndryshëm që kanë gjetur golin këtë edicion me fanellën e 9 herë kampionëve të vendit, teksa në ndeshjen ndaj Bylis pavarërisht se skuadra e Martinit fitoi 0-1, gjithçka u vendos nga një autogol i mallakstriotëve.

Në këtë mënyrë Vllaznia kishte shënuar në të 8-të ndeshjet e këtij sezoni deri në takimin kundër Flamurtarit. Vlonjatët u bënë e para skuadër këtë edicion në Superiore ndaj të cilëve Vllaznia nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë. Me shkodranët që kishin shënuar më parë edhe në një humbje 3-1 ndaj Dinamos. Kështu kuqeblutë pas 720 minutave në total të 8 ndeshjeve të zhvilluara, ku shënonin në vazhdimësi, u ndalën pikërisht në Vlorë.

Duke “prishur” kështu rekordin që po mbanin me fanatizëm deri në këto momente të kampionatit. E pikërisht shkodranët kërkojnë të rikthehen tek goli në duelin e rradhës ndaj Egnatias. Ku personazhe si: Balaj, Kastrati, Mala apo edhe Jago që ka qenë një surprizë pozitive këtë edicion janë një rrezik konstant për portat kundërshtare.

Teksa edhe emra si Kallaku apo edhe Murataj që pritet të rikthehet titullar janë një “armë” akoma më tepër për fazën sulmuese dhe finalizuese të skuadrës shkodrane.(www.shkodrasport.com)