Kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj ka dalë sot para mediave në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të takimit që Kombëtarja luan nesër ndaj Andorrës. Natyrisht, nuk mund të mungonin pyetjet në lidhje me largimin e Panuçit, por Hysaj është shprehur se në këto momente mendohet vetëm për fitore nesër dhe jo për ato që kanë ndodhur.

“Besoj që nuk duhet te mendojmë fort punën e trajnerit se kemi ndeshje të rëndësishme dhe jemi të gjithë te kjo ndeshje, që duhet të fitojmë se s’bën, për moralin tonë e të Shqipërisë. Na duhen tri pikët për Europianin, duhet të mendojmë për ndeshjen e jo për trajnerin e çfarë ka ndodhur ditën e djeshme.

Me njohjen që kam me djemtë e di si do e përjetojmë, jemi të gjithë me vëmendjen që duhet të fitojmë medoemos, e dimë që është vështirë, edhe Islanda e kishte të vështirë të shënonte këtu, por të mos mendojmë për çfarë ndodhi, se ndryshe nuk do fitojmë, jemi të përqendruar për të fituar ndeshjen këtu.

Situate në dhoma, besoj se është shumë e mirë se një ndeshje që humbëm nuk do të na dënojë për të gjitha ndeshjet e radhës që kemi dhe meqë nesër kemi ndeshje të rëndësishme është e mira të harrojmë çfarë ka ndodhur. Djemtë janë në formë të mirë, moralisht e kemi marrë veten nga humbja me Turqinë dhe jemi gati të shkojmë në fushë për sfidën me Andorrën.

Mosbesim nga ana e Panuçit? Nuk e di nga i buronte mosbesimi por çdo trajner ka mendimet e veta për lojtarët që ka dhe bën punën e vet. Unë për veten time besoj te kjo kombëtare dhe lojtarët. I shoh vetë të gjithë dhe këdo të pyesësh a do kualifikohet do të përgjigjet që do kualifikohemi. Unë besoj se do bëjmë gjëra spektakolare. Unë mendoj se edhe me këta lojtarë që kemi do të bëjmë diçka spektakolare”, tha Hysaj. /VipSport/