Mjeshtri i Merituar i Sportit, Hysen Zmijani, është shumë skeptik për sa i përket të ardhmes së Vllaznisë. Ai e quan tërësisht të pakuptimtë nisjen e punës duke firmosur me lojtarët dhe jo me trajnerin.

Ai vlerëson nismën që ka ndërmarrë për momentin administratori Lici, por shprehet se nuk kupton ende rolin që ka drejtori sportiv, Engin Firat. Në intervistën për “Panorama Sport”, mjeshtri Zmijani e sheh të zbehtë të ardhmen e Vllaznisë. Ndërsa ai fajëson politikën që e ka katandisur si mos më keq këtë emër të madh të futbollit shqiptar.

Zmijani, ditët kalojnë dhe Vllaznia është shumë prapa me fillimin e punës për sezonin e ri…

Të jem i sinqertë prisja që gjërat të ndryshonin nga java në javë, e kjo për mirë. Por, shoh që situata është si mos më keq. Një skuadër pa busull dhe pa një orientim se ku do të shkojë. Shikoj dhe vlerësoj një Suad (Licin) që po mundohet dhe kërkon të marrë përsipër në këto momente dhe që duhet vlerësuar, por ende është shumë larg të bërit ekip.

Janë bërë dy afrimet e para. A është e logjikshme që të niset nga lojtarët dhe jo nga stafi teknik?

Ne i themi një punë e nisur nga bishti e jo nga koka. Nuk e di se cila është ideja, por të them të drejtën nuk ka logjikë që të bëhet njëherë ekipi e më pas të vendoset për stafin teknik. Këta lojtarë që blihen, me gustot e kujt janë? Një trajner, qofsha edhe unë, kam pëlqimet e mia për lojtarë të veçantë në pozicionet e fushës. Ndërsa kjo më duket krejt pa asnjë kuptim. Më parë duhet të ishte caktuar trajneri dhe stafi i tij e më pas të kishin filluar me lojtarët. Nuk e di si e kanë menduar një gjë të tillë.

Me sa mësohet, drejtori teknik ka dorë të lirë në afrimet që do të bëjë…

Unë nuk e di se çfarë ka bërë deri tani dhe çfarë po bën drejtori sportiv. Ajo që nuk kuptoj është që nga deklaratat e tij, një vit nuk flet asgjë, pastaj shprehet si të ishte nga jashtë këtij klubi. Deklaron se nuk ka një kontratë dhe shikon si të mundshëm rikthimin si trajner. Nga ana tjetër, është në krye të ndërtimit të skuadrës. Ndoshta ai ka ardhur në Shkodër me projekte disavjeçare që frytet të merren në vitet e ardhshme, por këtu tek ne flitet sot për sot e nuk mendohet as për nesër. Prandaj, s’e di se çfarë ka në planet e tij ky drejtor…

Çfarë po e katandis këtë Vllazni deri në këtë pikë?

Ka vetëm një emër: politika e ka katandisur Vllazninë deri në këtë pikë. Që në momentin që u mor Vllaznia nga bashkia, gjërat kanë shkuar si mos më keq. Politika kërkoi të përfitonte nga Vllaznia, por nga ana tjetër e keqpërdori atë.

Si e shikoni të ardhmen?

Të jem i sinqertë, të paktën me çfarë ka ndodhur deri në këtë periudhë, e shikoj shumë keq. Çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, është tjetër gjë. Sidomos neve, njerëzve të sportit, këtu fus pa diskutim edhe Licin, që kemi derdhur djersë për këtë skuadër dikush më shumë e dikush më pak, them se na dhemb diçka më tepër kjo Vllazni. Këtë mund ta them për çdo shkodran. Ndihem keq kur më pyesin shokë apo bashkëkohës në futboll nga Gjirokastra, Vlora, Korça e Tirana: ‘Çfarë po bëhet me Vllazninë?’ Sinqerisht që ndihem keq. Nuk di çfarë të them. Vllaznia nuk është shqetësim vetëm i shkodranëve, por edhe më gjerë. Por ajo që po shohim, është shumë larg pritshmërive tona./panorama-sport/