“Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Hysen Zmijani, i cili ka qenë një nga kritikët më të fortë të Vllaznisë para dy sezonesh, duket se nuk ka ndryshuar mendje për skuadrën e sezonit të ri.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i djathtë i kuqebluve dhe Kombëtares thekson se pret të shohë një Vllazni ndryshe, ashtu si të gjithë shkodranët në fakt. Në Shkodër ka pesimizëm edhe pas ngjitjes së skuadrës në Superiore dhe Zmijani, por jo vetëm ai, e ka frikën e një tjetër dështimi.

Zmijani, si e shikoni situatën në këto momente te Vllaznia pas kthimit në Superiore?

Gjithçka është e turbullt në këtë moment. Thuhet se drejtuesit po punojnë për ta ribërë ekipin, por në krahun tjetër shikojmë lëvizjet e drejtorit teknik. U fol për një dorë të lirë të lënë nga bashkia për ekipin, por momentalisht nuk ka asnjë lëvizje konkrete.

Po ndikon situata zgjedhore te Vllaznia?

Gjasat nuk duken të mira. Puna e zgjedhjeve është shumë domethënëse për bashkinë e qytetit, për presidentin dhe për Vllazninë, që varet nga pushtetit vendor. Shpresojmë që ky problem të zgjidhet shpejt, sepse na penalizon shumë për ekipin e futbollit.

Si e prisni Vllazninë e sezonit të ardhshëm?

Ne shpresojmë për një Vllazni ndryshe. Kur Vllaznia nuk është mirë, i gjithë veriu nuk është mirë, edhe futbolli në përgjithësi në gjithë Shqipërinë ndihet keq, kur kjo skuadër nuk është në nivelin e duhur. Por, le të jemi optimistë… S’na mbetet gjë tjetër, veçse ta mbështesim Vllazninë për të ardhmen e saj.

A ka nevojë për shumë ndryshime skuadra e sezonit të ri?

Po. Vllaznisë i duhet të bëjë patjetër ndryshime, madje shumë. Superiorja ka një standard tjetër. Aty ku ka qenë Vllaznia, në Kategorinë e Parë, kuptohet që ka qenë nivel tjetër, pa u hequr meritat trajnerëve që kanë punuar dhe po ashtu edhe skuadrës, sepse e dimë që nuk ka qenë krejt e lehtë.

Ka pasur probleme dhe vështirësi, por tani që jemi kthyer në Superiore, duhet bërë një reformë, për mendimin tim, totale. Situata duket, është e qartë në këto moment. E di që nuk është krejt e lehtë edhe për ata që e drejtojnë klubin, sepse Vllaznia kërkon të jetë gjithmonë në krye, por ndryshimi është i domosdoshëm.

Ka frikë Zmijani nga përsëritja e historisë së sezonit, kur Vllaznia ra nga Superiorja?

Po, të them të drejtën, kam frikë se mund të dështojmë edhe këtë herë. Atëherë duhet thënë me plot gojë se është marre për Vllazninë dhe për Shkodrën. Por, siç e theksova më lart, le të mos e mbushim me pesimizëm Shkodrën në këto momente, le të presim dhe të besojmë se Vllaznia e sezonit të ri do të jetë kompetitive dhe aty ku ne e presim.