Vllaznia mori një rezultat shokues ditën e djeshme në kuadër të javës së 13-të të Superiores. Shkodranët u mposhtën me rezultatin 0-1 në Shkodër nga ekipi i Egnatias. Shifra që lanë një shije shumë të hidhur jo vetëm tek drejtuesit apo futbollistët, por edhe gjithë tifozët shkodranë. Kjo edhe për nivelin e lojës që treguan kuqeblutë.
Sidomos në 45 minutat e para të duelit, loja e shkodranëve ishte totalisht nën ritmin e duhur. Dhe pavarësisht se Josa u mundua të ndryshonte diçka në pjesën e dytë me zëvendësimet e tij, ekipi nuk arriti të merrte qoftë edhe 1 pikë. Por një futbollist që dha “shkëndija” në ato pak minuta aktivizim ishte Mehdi Çoba. Sulmuesi hyri në fushë në minutën e 71-të, duke zëvendësuar Alivoden.
Shpejtësia dhe grinta që shfaqi mëngjërashi i vunë në vështirësi mbrojtësit rrogozhinas. Madje 22-vjeçari dhuroi edhe një pasim të artë për gol nga krahu i djathtë, ku as Kaina e as Aralica nuk mundën ta shfrytëzonin.
Çoba dhuroi një paraqitje të mirë edhe në Superkupë kundër Tiranës, ku arriti të fitonte edhe penalltinë që u shndërrua në gol nga Latifi për shifrat provizore 2-2.
Kjo formë në rritje e numrit 11-të patjetër do bëjë që stafi teknik ta shohë me një sy tjetër. Duke parë edhe formën jo shumë pozitive që po kalojnë edhe sulmuesit e tjerë si: Kaina, Aralica apo Hoxhaj, Çoba mund të shihet si një titullar në ndeshjet e ardhshme. Patjetër këtë e vendos stafi dhe trajneri Josa, por forma e treguar nga sulmuesi patjetër që është një shenjë pozitive.
Endri ÇINARI