Herald Marku është në radarin e Partizanit. Mesfushori 25-vjeçar bëri një sezon të shkëlqyer me Vllazninë, duke u renditur i dyti dhe duke fituar Kupën e Shqipërisë. Edhe në aspektin personal, Marku bëri një edicion për të mos u harruar, duke shënuar 4 gola dhe duke asistuar 3 të tjerë në 30 ndeshje në Superiore.

Numri 10 i Vllaznisë është tashmë pa kontratë dhe rinovimi nuk ka ardhur ende me shkodranët, çka hap derën edhe për ekipet e tjera për të kontaktuar me të. Një ndër to, është dhe Partizani.

“Demat” duan të përforcohen në mesfushë dhe Marku shihet si opsioni i duhur. 25-vjeçari mund të luajë edhe në qendër të mesfushës, edhe si fantazist, çka shton kualitetin në ekip dhe opsionet për të zgjedhur.

BISEDIMET MES PALËVE

Drejtuesit e Partizanit kanë pasur bisedime me mesfushorin 25-vjeçar dhe duan ta rikthejnë në “shtëpi”, pasi Marku është një produkt i akademisë Partizani, ku ka luajtur me ekipet zinxhirë deri te ekipi U-19.

Mesfushorit i intereson oferta e të kuqve, por, për momentin, është i dyzuar mes qëndrimit te Vllaznia dhe provimit të një aventure të re. Në fund, duket se diferencën do ta bëjë ana financiare, me të dyja ekipet që pritet të bëjnë ofertat e tyre konkrete sa i takon pagës mujore dhe bonuseve.