Pas mbledhjes mes qeverisë FSHF-së dhe përfaqësuesve të klubeve, duket se kanë ardhur edhe reagimet e para. Ka drejtues të klubeve të njohura në vend dhe investitorë të fuqishëm që mendojnë se situata do të përmirësohet dukshëm. Një ndër ta është edhe administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili në një intervistë për “Report TV”, shprehet:

“Tashmë do të kemi të bëjmë me një sport që nuk do të ngelet më në derën enteve publike duke trokitur për të kapur ndonjë fond, por do të jetë një sport që do të rrugëtojë drejtpërdrejtë në normat më elementare të kapitalizmit.”

Skema
Numri 1 i klubit vlonjat tregoi më pas edhe skemën se si do të arrihet në këtë pikë: “Shteti shqiptar ka marrë përsipër të sjellë një ligj ku investimet në sport do të kenë një status dhe një karakter të veçantë.

Pra një kompani, shifrat janë apriori mos u kapni pas shifrave, nëse ka 10 mln dollarë tatim fitimin për të paguar, shteti do t’i merrte të gjitha për arkat e veta, në këtë rast shteti i njeh të drejtën kompanisë që lekët të cilat do t’i arkëtonte si tatim fitim do t’i kalonte në kondo të klubeve.”

Zgjidhja
Sipas administratorit të skuadrës vlonjate, Sinan Idrizi, me këtë zgjidhje dhe rrugë pozitive të dhënë nga qeveria, futbolli do të ketë progres dhe klubet normalisht që do të lehtësohen në nismat e tyre për të përparuar edhe më shumë ato vetë, por edhe futbolli në tërësi: “Nga ky moment klubet shqiptare de fakto do të rrugëtojnë me një start financiar të paktën në nisje me 1 mln dollarë.”

Dhuna
Sinan Idrizi në fund të intervistës së tij, bëri edhe një komente për dhunën që shfaqet në stadium. Sipas tij, shkaktarët e dhunës që është më shumë psikologjike janë vetë aktorët dhe ata që organizojnë garën: “Dhuna më e madhe në Shqipëri në stadium është dhuna psikologjike. Ata që shkaktojnë dhunën janë ata që menaxhojnë futbollin.”/vipsport/