Pas lamtumirës nga pozicioni drejtues që mbante te Roma, Francesco Totti është “arratisur” nga kryeqyteti italian. Ai po shijon rrezet e diellit dhe freskinë e detit në bregun e “Playa d’en Bossa”. Të dielën herët, në mëngjes, ai zbarkoi në Ibiza, ku edhe zhurmat e zogjve mezi dëgjoheshin. Vetëm aeroplanët, që ngarkojnë dhe shkarkojnë pushuesit, krijojnë rrëmujë. Plazhi “Royal” në Ibiza mbron privatësinë e mysafirëve të vet.
Në këtë komoditet, pranë detit, Francesco Totti është duke shijuar pushimet e tij. Bashkë me gruan dhe fëmijët e tij, legjenda e klubit verdhekuq po ngushëllohet aty, pas shkurorëzimit të stuhishëm nga Roma. Ndoshta buzë detit po mendon edhe për angazhimin e mundshëm të së ardhmes.
Presidenti Ferrero do ta donte atë për drejtues te Sampdoria, presidenti Gravina tashmë e ka thënë publikisht dëshirën për ta pasur Totti në zyrat e FIGC, edhe FIFA duket se po reflekton për “rekrutimin” e tij. Megjithatë, nuk priten vendime afatshkurtra. Miqtë e ish-kapitenit të Romës thonë se ai do të bëjë një analizë të situatës dhe propozimeve vetëm pas pushimeve të verës.
Francesco duket totalisht i përkushtuar te familja, tashmë. Bashkë me gruan, Ilary, dhe fëmijët e tyre; Chanel, Cristian dhe Isabel, ndodhen në Ibiza. Edhe trajneri personal, Fabrizio Iacorossi, gruaja e tij, Noemi, dhe fëmijët e çiftit, fluturuan nga Roma për në plazhin e njohur “Royal”. Aty po pushon edhe Alberto Aquilani, me gruan e tij, Michela Quattrociocche, dhe bijat e tij. Me pak fjalë, një grup miqsh, që nuk do të lërë pas dore as ndeshjet në kalçeto (8 me 8 lojtarë)…