Trajneri i Teutës, Edi Martini, befasoi jo pak me formacionin ndaj Skënderbeut, duke ulur në stol sulmuesin Blerim Krasniqi dhe aktivizuar që nga minuta e parë 21-vjeçarin Ildi Gruda.

Ky i fundit rikthehej pas një dëmtimi që e mbajti jashtë fushës për 3 javë, ndërkohë që u bë protagonist në Korçë me fitimin e penalltisë së kthyer në gol nga Bregu. Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani i Teutës flet për këtë rikthim, ndeshjen ndaj Tiranës, si dhe luftën për titull. Ai beson se skuadra durrsake do ta ruajë kreun.


Ildi, riktheheni si titullar dhe skuadra fiton në Korçë…?

Të jem i sinqertë, kam kaluar ditë të vështira pas dëmtimit që pësova. Kam qëndruar jashtë fushave për rreth 3 javë, por tani ndihem shumë mirë sepse e kam lënë pas dëmtimin. Dua të jem protagonist te Teuta dhe të arrijmë objektivin e klubit.


Sa vlen ky sukses ndaj Skënderbeut, për më tepër që vinit pas eliminimit në Kupë?

Vlen tri pikë dhe një hap përpara në luftën për titull. Ekipi bëri atë që duhej të bënte. Edhe pse me rezultat minimal ishte një trepikësh me shumë vlera për të mbajtur kreun e tabelës. Mendoj se ishim një ekip që tregoi dëshirë për të fituar. E qarkulluam topin në të gjithë sektorët e fushës dhe e merituam fitoren. Tashmë ky sukses na jep besim për sfidat e radhës.


Si e shpjegoni faktin që keni kaq vështirësi për të shënuar?

Nuk ka parë një sulm në vështirësi. Thjesht na duhet të vertikalizonim më shumë. Gjithsesi, vazhdimësia ka qenë pika jonë e fortë, por edhe kemi shpërdoruar shumë. Ajo që ka rëndësi është fitorja dhe ne e arritëm në Korçë. Duhet të mendojmë për ndeshjen ndaj Tiranës.


Ky reagim në kampionat ishte një mesazh për rivalët?

E vërteta është që këtë javë fituan edhe rivalët tanë, jo vetëm ne. Duhet të bëjmë më mirë për të qenë të qetë më pas. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë gjëra të rëndësishme dhe ta fitojmë titullin.


Të shtunën prisni Tiranën, sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?

Pa dyshim që Tirana kërkon përqendrim maksimal, pasi është një skuadër shumë e mirë dhe mbi të gjitha ka cilësi. Gjithsesi, kundër tyre do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë, duke marrë një tjetër fitore.


Si e shikoni kalendarin dhe garën për titull?

Nuk shohim shumë kalendarin e të tjerëve, por i yni është shumë i fortë. Së pari luajmë me Tiranën që ka cilësi të shkëlqyera. Pastaj, përplasjet direkte dhe ndaj ekipeve që luftojnë për mbijetesë nuk bëjnë dallim. Gjithsesi, diferencën do ta bëjnë kualitetet dhe ne si ekip duhet të bëjmë sa më pak gabime.


Martini ju besoi majën e sulmit në takimin e fundit, mendoni se do të vazhdoni të luani edhe ndaj Tiranës…?

Në skuadrat e mëdha ka gjithmonë konkurrencë. Te Teuta ka shumë lojtarë me cilësi, por unë mendoj të jap maksimumin në çdo stërvitje. Për të tjerat them se mendon trajneri. Është ai që vendos se cili do të luajë, nuk mund të them asgjë më tepër.