Teuta dhe Dinamo kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të të Superiores. Sfida që u zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, përfundoi me shifrat 0-0. Pas këtij dueli ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja.
“Gjithmonë statistikat janë për t’u interpretuar se mund të kesh 10 situata 5 metra larg portës e mos përfundojë asnjëra në portë. Kjo nuk do thotë të mos jetë i rrezikshëm para portës. Ne i kishim rastet tona, sidomos në pjesën e parë, kemi bërë një lojë më të mirë se sa Teuta, gjë që ndryshoi pak në pjesën e dytë, ku Teuta ishte pak më lart se sa ne, jo në administrim, jo në rrjedhshmëri, por krijoi situata para portës tonë. Si duket u ndje lodhja, se terreni ishte i butë. Te të dy ekipet, se terreni ishte i butë, ndoshta në një terren më të mirë, ndoshta mund të kishim një lojë më të mirë nga të dy ekipet.
Të ishim të rrezikshëm edhe në 20 metrat e fundit, e diskutuam edhe në pushim, duhej që njëri nga sulmuesit, shpeshherë Berisha, të bënte lëvizje prerëse, në mënyrë që të merrte topin në linjat e qendrës, apo të lironte hapësira për Bregun e Vilën. Guindo e tenton një gjë të tillë, por sot Bernardi duhej ta bënte këtë në 20 metrat e fundit. Ishte një rast që të dy bashkë me Bregun ishin në të njëjtën zonë, nëse do e bënte, mund të merrte topin apo lironte zonën për Bregun për pasimin diagonal nga Guindo. Ne kërkojmë maksimumin, por sot po themi që rezultati më i drejtë ishte barazimi për atë që prodhuan ekipet.
Në momentin kur ne ishim të rrezikshëm në nisjet nga poshtë, ishim ku i kapëm me Bregun dhe Vilën. Por me kërcim nga poshtë-lart dhe gjithmonë po ta shihni, e kishim parë që Teuta vinte me armë të fortë markimi me numrin 6 të tyre. Ne i morëm zonat, sidomos kur luhej topi nga Dita te Bregu me diagonale, ndërsa zbritja e poshtme e Qardakut dhe Qefalisë, bëhej për faktin se kishim ngritur mbrojtësit tanë që marrin mirë krahun se kanë element shpejtësinë. E dinë të gjithë që kur ngrihen krahët, qendra vjen më poshtë, duhej të bënim më mirë në pjesën e dytë, edhe pse Teuta ndryshoi me presing lart. Ne kishim 2 numrat 8, njërin e kishim bosh se një nga shkatërruesit e tyre ngjitej lart me Gudiabi dhe mbetej një lojtar para mbrojtjes dhe duhej të furnizonim më mirë në pjesën e dytë me pasime vertikale apo në gjysmë-hapësira.
Për të dalë te merkato, jam trajner, se kam drejtorin sportiv para dhe ai para se të thotë që luftojmë për këtë e atë, të luftojë për të sjellë ca lojtarë në ekip, sepse edhe me dëmtimin e Maliqit që e ka mbyllur këtë kampionat, patjetër na duhet të përforcohemi me 2-3 lojtarë që të vazhdojmë ecurinë që kemi pasur edhe në 2025. Ia kisha premtuar që do ia thosha se kur del në shtyp duhet të mbajë përgjegjësi pastaj edhe për gjërat e tjera”, tha Daja.


