Partizani humbi të hënë 1-0 derbin me Tiranën. Drejtuesit e kuq janë parë të revoltuar pas ndeshjes, teksa në deklaratat për shtyp u la të kuptohej se gjithçka kishte të bënte me arbitrimin e derbit të kryeqytetit.
Nervat e demave nuk u sheshuan pas ndeshjes, teksa sipas shtypit të shkruar në seancën stërvitore të djeshme ka pasur “xixa” mes trajnerit Daja dhe mesfushorit Kote.
Trajneri nuk i ka duruar fjalët e lojtarit, duke e përjashtuar. Gjithçka ka nisur me korçarin, që i është drejtuar trajnerit me fjalë që nuk janë kapërdirë nga ky i fundit. “Sa keq është kur respektin ta marrin për dobësi”, mësohet të ketë thënë mesfushori.
Kaq ka mjaftuar që Daja të kërkojë largimin e tij nga stërvitja. “Lojtar ky, lojtar si ky kam treçerekun këtu”, ka thënë Daja mes të tjerash. Duket se humbja në derbi ka tensionuar situatën te Partizani, që të diel në 16:45 pret Egnatian në “Air Albania” për javën e 7 të Superligës./newsport/