Barazimi në ndeshjen e fundit me Partizanin ka rritur entuziasmin në kampin shkodran. Madje jo vetëm brenda tij. Edhe të tjerë që e rrethojnë këtë skuadër, shohin ndryshime pozitive tek ajo. Ilir Dibra, ish- mbrojtësi i kuqebluve dhe ish- trajneri i tyre ka besim se gjërat mund të marrin edhe më për mirë sesa deri tani. Ajo që duhet sipas tij, është që skuadra të guxojë për të marrë fitoren në ndeshjen e rradhës ndaj Flamurtarit. “Momenti jo i mirë që po kalon Flamurtari, shoqëruar me probleme financiare apo largime futbollistësh siç po lexojmë në media, natyrisht që duhet shfrytëzuar nga Vllaznia. Për këtë arsye, mendoj se stafi teknik dhe e gjithë skuadra duhet ta përgatisin siç duhet këtë takim për të mos u kthyer pa pikë nga Vlora.

Madje, personalisht mendoj se skuadra duhet të guxojë pak më shumë këtë rradhë, për të tentuar marrjen e fitores dhe prandaj duhet të bëjë një lojë më sulmuese”- ka thënë ish-mbrojtësi i kuqebluve në vitet ’90- ’00. Dibra për disa kohë ka qenë edhe pjesë e stafeve teknike të ekipit shkodran, pikërisht në periudhën kur ai drejtohej nga Luan Zmijani dhe ishte krahu i djathtë i tij. Sot, në rolin e një shikuesi nga jashtë, e ka më të lehtë të konstatojë atë çfarë po ndodh me Vllazninë dhe konkretisht ndalet tek sfida e fundit me Partizanin. “Mendoj se ndeshja u interpretua në mënyrën e duhur nga skuadra shkodrane. Shënimi i shpejtë i golit, dashje pa dashje e ktheu prapa atë. Kurrsesi nuk besoj se kanë qenë udhëzimet e trajnerit për t’u tërhequr në atë mënyrë por është rrjedha e lojës ajo që vetëvetiu të tërheq prapa, duke parë edhe presionin gjithnjë në rritje të Partizanit. Me pak kujdes kjo ndeshje edhe mund të ishte fituar nga Vllaznia por duhet të kënaqemi edhe me barazimin. Të mos harrojmë se përballë ishte një skuadër pretendente për titullin kampion dhe me një përbërje shumë të mirë. Prandaj, kuqeblutë duhet të shohin përpara dhe duke nisur nga ndeshja me Flamurtarin, të kërkojnë të marrin më shumë në fushën e lojës”- ka thën Ilir Dibra.

www.shkodrasort.com