Incidenti i ndodhur pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në ndeshjen e basketbollit Vllaznia- Tirana, i ka kushtuar rëndë ekipit shkodran. Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit, në mbledhjen e tij të pasdites së djeshme, ka marrë disa vendime që sigurisht kanë ndëshkuar rëndë pjestarët e Vllaznisë. Kështu dënimi më i rëndë ka shkuar për trajnerin Bledar Gjeçaj i cili është pezulluar plot 6 muaj nga drejtimi i ekipit dhe po ashtu është gjobitur me 700 mijë lekë për përpasje fizike me kundërshtarin. 6 muaj është dënuar edhe kapiteni i Tiranës Erkand Karaj por me një gjobë më të vogël, 500 mijë lekë. Nga ana tjetër, katër basketbollistët që morën teknikë përjashtimi në ndeshje, pikërisht Gjon Ndoja, Dodë Lekndreaj, Gerti Shima dhe Manuel Xhonson, janë gjobitur me nga 300 mije lekë secili për atë çfarë ndodhi në fushë. Interesant është fakti se përveç këtij dënimi, basketbollisti i Vllaznisë Ndoja është pezulluar edhe me tre ndeshje për inicim dhe nxitje të dhunës. Një vendim disi i çuditshëm kur ke parasysh,nisur edhe nga pamjet filmike që iniciatori i sherrit ka qenë amerikani Xhonson. Dënimet për ekipin shkodran nuk mbarojnë me kaq. Si ekip organizator i ndeshjes, për mosmarrjen e masave të duhura organizative, është gjobitur me 100 mijë lekë. Siç shikohet, dënimet kanë qenë shumë të rënda jo vetëm në aspektin financiar sepse ekipit të Vllaznisë do t’i duhet të paguajë plot 1 milionë e 400 lekë gjoba në arkën e Federatës, por do të ketë 6 muaj të pezulluar trajnerin Gjeçaj dhe 3 ndeshje basketbollistin Ndoja. Këto vendime vijnë pikërisht përpara ndeshjes së kupës Vllaznia- Tirana që do të zhvillohet ditën e dielë në Durrës , ndeshje në të cilën tashmë shkodranët do shkojnë me moralin zero dhe me mundësi edhe më të pakta për kualifikim në finale. Megjithatë, në vendimin e djeshëm gjithashtu thuhet se palët kanë të drejtë ta ankimojnë atë tek Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Basketbollit brenda 15 ditësh megjithatë nuk pritet të ndodhë ndonjë çudi edhe nëse apelohen këto vendime.
© shkodrasport.com