FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia ende pa trajner, kontrata e Edi Martinit 'mban peng' kuqeblutë

Vllaznia ende pa trajner, kontrata e Edi Martinit ‘mban peng’ kuqeblutë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka zbritur në fushë këtë mes-javë, pas disa ditësh pushimi, por rikthimi në stërvitje ka sjellë një situatë të re për kuqeblutë. Shkodranët janë aktualisht pa trajner, pas zhvillimeve të fundit me Edi Martinin, ndërsa seancën stërvitore e ka drejtuar zëvendëstrajneri Ergi Borshi. Mungesa e Martinit është vënë re në mënyrë të qartë në procesin stërvitor të këtyre ditëve.

Trajneri i deritanishëm nuk është shfaqur në fushën ku kuqeblutë zhvillojnë zakonisht përgatitjet dhe deri në sqarimin e situatës me Martinin, pankina kuqeblu mbetet “peng”. Aktualisht përgjegjësinë për drejtimin e skuadrës në stërvitje e ka marrë Borshi, i cili prej disa vitesh është pjesë e stafit teknik të Vllaznisë.

Për momentin, kjo është mënyra që po i mundëson skuadrës të vijojë përgatitjet, pavarësisht situatës së paqartë në pankinë. Borshi është një emër i njohur për ambientin kuqeblu, pasi ka punuar për disa sezone pranë skuadrës dhe njeh mirë jo vetëm mënyrën e funksionimit të klubit, por edhe futbollistët që ka në dispozicion. Në këto kushte, 30-vjeçari mund të jetë një alternativë e përkohshme për të mbajtur skuadrën në ritmin e duhur stërvitor, sidomos në një moment kur Vllaznia duhet të përgatitet për sfidat e radhës në kampionat.

Fakti që ai ka qenë pranë ekipit gjatë kësaj periudhe e bën më të lehtë vazhdimësinë e punës në aspektin praktik. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Borshi do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme apo nëse drejtuesit e klubit do t’i besojnë atij drejtimin e skuadrës edhe në ndeshjet e ardhshme. Në këtë moment, gjithçka mbetet e hapur, teksa Vllaznia pritet të marrë një vendim për trajnerin e ri.

Kuqeblutë ndodhen në një pikë delikate të sezonit dhe ndryshimi në stol vjen pas një serie rezultatesh negative. Për këtë arsye, zgjedhja e trajnerit të ardhshëm do të jetë një nga vendimet më të rëndësishme të drejtuesve, ndërsa deri në momentin që do të merret ky vendim, Ergi Borshi duket se do të jetë njeriu që do të mbajë skuadrën në stërvitje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments