FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e Elvin Beqirit, ish- futbollistit të Vllaznisë dhe kombëtares...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e Elvin Beqirit, ish- futbollistit të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare

Shkruar nga Gjergj KOLA

Një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran, por edhe atij shqiptar pas viteve ’90, padyshim që është Elvin Beqiri. Me një karrierë të shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit, me 47 ndeshje me fanellën kuqezi të veshur në trup, si dhe me mbi 200 ndeshje me Vllazninë, por edhe me skuadra të tjera jashtë vendit, ai ka spikatur edhe si trajner i Kombëtares U17.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ka një ditë të veçantë: feston 46-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport”, i urojmë atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Elvin Beqiri ka lindur në Shkodër më 27 shtator 1980 dhe do të fillonte të merrej që në moshë të vogël me futboll, duke kaluar nëpër ekipet zinxhir të Vllaznisë. Do të kalonte shpejt në ekipin e parë, ndërsa do të ishte protagonist në suksesin e këtij ekipi në sezonin 2000-2001, kur Vllaznia u shpall kampione e vendit.

Duke luajtur në rolin e mbrojtësit të djathtë, Elvini do të spikaste mbi të gjithë dhe kjo do të tërhiqte vëmendjen e gjermanit Brigel, i cili në atë kohë drejtonte Kombëtaren shqiptare. Ndeshja Shqipëri-Rusi 3-1, e luajtur në Shkodër më 29 mars 2003, do të shënonte ndeshjen e parë si titullar me kuqezinjtë dhe që prej asaj ndeshjeje nuk do të largohej më nga formacioni.

Po atë vit do të bënte një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë, duke lënë Vllazninë dhe duke kaluar në Ukrainë, te Metalurg Donetsk. Do të provonte të luante edhe në Rusi e Izrael, për t’u rikthyer sërish në Ukrainë, ku do të luante deri në vitin 2008.

Rikthehet sërish në Shkodër dhe i jep një dorë Vllaznisë për të fituar edhe Kupën e Shqipërisë po atë vit. Në vitin 2010 do të kalonte në Azerbajxhan, te Khazar Lankaran, me të cilën do të luante për dy vjet, ndërsa në vitin 2012 do të kthehej edhe një herë te Vllaznia për të luajtur me të deri në vitin 2015.

Duke mbajtur shiritin e kapitenit të kësaj skuadre, Elvin Beqiri do ta mbyllte karrierën si futbollist pikërisht te skuadra ku e nisi futbollin dhe në qytetin e tij të dashur.

Pas lënies së futbollit, ka nisur karrierën si trajner. Fillimisht si trajner i ekipit Vllaznia U19, me të cilin shpallet kampion në sezonin 2016-2017. Gjatë kësaj periudhe, ndërkohë, kryen edhe detyrën e zëvendëstrajnerit të Kombëtares U17, si ndihmës i Mustedanagić.

Në fillim të sezonit 2018-2019 do të punonte për pak muaj si zëvendëstrajner i Hasan Likës me ekipin e parë të Vllaznisë, por vetëm për pak muaj, sepse në dhjetor të atij viti do të emërohej trajner i parë i Kombëtares U17, detyrë që e mbajti për dy vite me radhë.

Para dy sezonesh, ndërkohë, drejtoi ekipin e Tërbunit të Pukës, ndërsa prej katër viteesh është spostuar bashkë me familjen e tij në Kanada, ku është i angazhuar duke punuar në një akademi futbolli.

Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Kudo ku të shkojë dhe kudo ku të qëndrojë, ai do të jetë gjithmonë pranë këtij sporti, sepse futbolli është jeta e tij.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments