Kombëtarja U-19 e ka nisur me fitore aventurën në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian, në Ligën B. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 4-0 në ndeshjen e parë ndaj Qipros, duke shënuar një gol në pjesën e parë me Kullën dhe tre në fraksionin e dytë me Muslikën (x2) dhe Himallarin.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi takimin me këtë formacion titullar: Raffaele Huli (GK), Lucas Cekrezi, Spasian Nasto, Andreas Llana, Elson Himallari, Armend Muslika, Gabriel Kulla (C), Oliver Blini, Dion Vata, Alen Vukaj dhe Endrit Asani. Siç shikohet në formacion kanë qenë 4 futbollistë shkodranë, portieri Huli, mesfushori Blini dhe sulmuesit Kulla e Vukaj.
Shqipëria kaloi në avantazh në pjesën e parë me anë të sulmuesit shkodran Gabriel Kulla. Në fakt ka qenë një gol i gjithë shkodran sepse asistin e ka dhënë Alen Vukaj dhe sulmuesi, pjesë e Sasuolos, e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë kuqezinjve.
Në fraksionin e dytë, Shqipëria U-19 realizoi edhe tre gola të tjerë. Armend Muslika e gjeti rrugën e rrjetës dy herë në të 48-në dhe në të 66-ën. Ndërsa Himallari vulosi fitoren spektakolare të kuqezinjve me golin e katërt në minutën e 80-të. Deri në fund skuadra e administroi avantazhin mjaft mirë dhe e mbylli sfidën me rezultatin 4-0.
Kështu, kuqezinjtë e nisin me tri pikë këtë aventurë europiane, duke hedhur një hap të rëndësishëm në raundin e dytë të kompeticionit. Sfida e radhës për Shqipërinë U-19 do të jetë ndaj Armenisë, më 14 nëntor, sërish në stadiumin “Sotira Municipal Stadium” në Qipro.


