Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia vijon lëvizjet në merkato dhe shumë shpejt pritet të zyrtarizojë një tjetër përforcim. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se kuqeblutë janë pranë afrimit të mbrojtësit të majtë Xhezair Avduli, i cili pritet t’i bashkohet skuadrës në vijim të fazës përgatitore.
21-vjeçari nga Maqedonia e Veriut aktivizohet aktualisht me Arsimin dhe ka qenë pjesë e përfaqësueses U21, duke u konsideruar një profil me perspektivë.
Nëse marrëveshja finalizohet, Avduli do të shtojë alternativat në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku stafi teknik dhe trajneri Edi Martini kërkon më shumë konkurrencë dhe afrime për sezonin e ri, si në kampionat ashtu edhe në sfidat europiane.
Nga burimet e “Shkodra Sport” mësohet se bisedimet mes palëve janë në fazë të avancuar dhe pritet vetëm dakordësia përfundimtare për detajet e kontratës. Klubi shkodran synon të mbyllë sa më shpejt këtë operacion, në mënyrë që lojtari të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Edi Martini në fazën përgatitore që po zhvillohet në Slloveni.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


