Atletika shkodrane në vite ka nxjerrë kampionë të mëdhenj. Të fokusuar kryesisht në garat e sprintit dhe ato të kërcimeve, sportistët shkodranë “kanë bërë ligjin” dhe madje vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë sërish.
Shembulli më i mirë ishte dita e djeshme kur ato thyen dy rekorde të reja kombëtare, fillimisht me Franko Burrajn në 400 metra dhe më pas me stafetën 4×100 metra. Ne do të ndalemi pikërisht tek ky rekordi i fundit sepse është më i veçanti ngaqë u thye pas plot 31 vitesh.
Interesant është fakti se edhe rekordi i mëparshëm ka qenë i vendosur nga një katërshe atletësh shkodranë, foton e të cilëve Gazeta “Shkodra Sport” e disponon dhe po e publikon sot. Ka qenë data 6 korrik 1996 kur Arben Makaj, Oltion Luli, Sokol Shepeteja dhe Ilir Xhani vendosën shifrat e rekordit të ri 41″48 gjatë garave të Kupës “Bruno Zauli” në Ljubjanë të Sllovenisë.
Ai rekord i vendosur prej tyre zgjati deri dje, më 20 qershor 2026, kur 4 shkodranë të tjerë, duke filluar nga Franko Burraj, Endri Rakaj, Leandro Çardaku dhe Kolindo Kiri vendosën shifra të reja në stafetën 4×100 metra, pikërish me kohën 41″24 dhe janë ata tashmë rekordmenët e vendit.
Duke konfirmuar edhe njëherë tjetër se sprinti shqiptar flet vetëm “shkodrançe”. Ata mbajnë rekordin e 100 metrave, të 200 metrave, të 400 metrave dhe të stafetës 4×100 metra. Dhe me siguri që kështu do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera sepse ata janë “mbretërit” e pistës shqiptare.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


