Ditën e djeshme u zyrtarizua “divorci” mes Vllaznisë dhe futbollistit Esat Mala. 4 vitet e bashkëpunimit mes palëve kanë qenë shumë të bukura dhe në fund ka ardhur edhe një “happy end” me shtrëngim duarsh dhe falenderimet reciproke.
Mesfushori 27 vjeçar tani është vënë në kërkim të fatit të tij të mëtejshëm dhe po sheh të gjithë opsionet e mundshme për vazhdimin e karrierës. Deri tani u tha se lojtari nga Prizreni ishte shumë pranë firmës me Teutën e Durrësit, por së fundi ka dalë në skenë një tjetë ofertë interesante për të.
Bëhet fjalë për skuadrën kosovare Ballkani që duket se ka shfaqur interes për futbollistin i cili shkëlqeu me Vllazninë. Për momentin ende nuk është shumë e qartë se cilën do të preferojë Mala sepse përpos anës financiare, vendos edhe projekti që do të kenë skuadrat.
Në ditët në vijim, ndoshta jo shumë larg në kohë me siguri që Esat Mala do ta ketë bërë zgjedhjen e tij dhe pavarësisht emrit, padyshim që ai do të vazhdojë të bëjë mirë siç ka bërë deri tani në karrierën e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


