Iliria vijon paraqitjen pozitive dhe duke vërtetur se asgjë nuk është surprizë deri më tani, por vetëm investim dhe punë. Në ndeshjen e rradhës fushë- krujasit fituan në fushën e tyre ndaj Korabit me rezultatin 2-1.
Trajneri i Ilirisë, Dritan Smajli, u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në këtë përballje ndaj dibranëve:
“Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe e dominuam kundërshtarin në çdo repart. Përgëzime për djemtë, të cilët treguan disiplinë dhe impenjim maksimal.
Përgatitja gjatë javës ishte në nivel, dhe kjo u reflektua në fushë me një fitore me shumë vlera. Objektivi ynë është të qëndrojmë në zonën e parë të renditjes dhe të luftojmë për më lart. Çdo ndeshje do ta vlerësojmë maksimalisht për të marrë pikët e plota.”
Pas javës së 8-të të kampionatit, Iliria ka arritur të grumbullojë 14 pikë dhe është e pozicionuar në vendin e tretë të renditjes, pas Skënderbeut që është i pari me 22 pikë dhe i shkëputur dhe Laçit që ndodhet në vendin e dytë me 16 pikë.







