Nga Gjergj KOLA
Ditën e djeshme është përcjellë për në banesën e fundit ish- futbollisti i Vllaznisë dhe njëkohësisht trajneri i moshave të ekipit shkodran, Hasan Hasa. Ai ka ndërruar jetë dy ditë më parë në moshën 94 vjeçare, duke lënë pas një hidhërim të madh tek familjarët e tij, njerëzit e dashur, por edhe ato të sportit me të cilët ka kaluar vite të bukura.
Ka lindur në Ulqin më 10 tetor të vitit 1931 dhe pas disa vitesh familja e tij vendoset në Shkodër, aty ku jeton edhe sot e kësaj dite. Hasani nis të merret me futboll që në moshë të vogël dhe gradualisht do të bëhej edhe pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë.

Luante në rolin e mbrojtësit dhe shpejt u bë edhe pjesë e formacionit të parë të Vllaznisë. Do të vazhdonte të luante me të deri më 4 nëntor të vitit 1962. Kjo do të ishte dita e fundit e tij si futbollist sepse një ngjarje e rëndë do t’i shkatërronte gjithçka.
Vllaznia luante ndeshjen e rradhës në Lushnjë ndaj Traktorit dhe në një moment dyluftimi me sulmuesin vendas Gogoni, Hasa do të fuste kokën për të larguar një top, por kundërshtari në tentativë për të goditur topin, do të godiste fytyrën e futbollistit shkodran dhe konkretisht syrin e tij duke i shkaktuar një problem shumë të madh, aq sa Hasani e humbi atë.
Dhe që nga ajo ditë, futbolli i luajtur mori fund për atë. Një ngjarje e rëndë dhe e rrallë në futbollin tonë, e padëgjuar ndonjëherë tjetër në historinë e tij. Për fat të keq, i ndodhi njeriut që tashmë është ndarë nga jeta.

Por pasioni për futbollin tek Hasani vazhdoi të ishte i madh edhe pas lënies së futbollit dhe si rrjedhojë pas disa vitesh nisi të punonte si trajner moshash tek Vllaznia. Ka stërvitur shumë emra, ndër të cilët edhe Fatmir Paçramin, Sait Çangën, Sokol Parrucë, Teodor Todhe, Viktor Pali, Gzim Piraniqi, Fatmir Hysa, Bardh Boriçi, Mehdi Dragovoja etj.

Futbolli shkodran në këtë mënyrë ka humbur një personazh të njohur të tij, një njeri me vlera të rralla njerëzore që kishte respektin e të gjithëve dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Hasa për humbjen e njeriut të saj të dashur! I përjetshëm qoftë kujtimi yt Hasan Hasa!









