Interit i mjaftuan vetëm 30 minuta për të marrë fitoren e dytë radhazi për herë të parë në këtë vit kalendarik dhe jo vetëm.

Zikaltrit i rrëmbyen vendin e dytë Napolit edhe pse me pikë të barabarta dhe tani, me një ndeshje më pak se rivalët, kërcënojnë jo vetëm kundërshtarët që i presin në javët në vazhdim, por edhe kryesuesit e Milanit.

Në përfundim, Ivan Perisiç, që është kthyer të jetë i tmerrshëm analizoi sfidën dhe foli për garën për titull.

Mesfushori beson se Interi po rikthehet dhe mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura për të shkuar te trofeu. 33-vjeçari ishte i kudogjendur në fushë dhe sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të arritur objektivat.

“Isha kudo? Mua më pëlqen të vrapoj, gjithmonë kam vrapuar me miqtë kur kam qenë i vogël. Kur luaj dua të jap gjithçka në fushë nga fillimi në fund. Ndonjëherë ia dal të fitoj, ndonjëherë jo. E rëndësishme është të japësh gjithçka dhe të ndihmosh ekipin”, u shpreh kroati.

Më pas ai u përqendrua te titulli: “Interi po rikthehet? Po, shpresojmë. Në shkurt dhe në mars rezultatet nuk ishin pozitive, por ne jemi aty duke u përpjekur, nuk ka mbaruar ende dhe duhet të vazhdojmë siç bëmë sot.

Me Juven ishte shumë e rëndësishme dhe pas fitores së dytë radhazi duhet të fitojmë edhe të tjerat nëse duam diçka më shumë. Por e përsëris, nëse luajmë, luftojmë dhe vrapojmë si këtë ndeshje, nuk kam frikë nga asgjë. Vetëm kështu fitohet kampionati”.

Ndërkohë që për më shumë se 30 minuta, pasi Inzagi hoqi nga fusha Korrean, kroatit iu desh t’i bashkohej Xhekos për të bërë sulmuesin e dytë, diçka që siç thotë ai nuk përbën problem për të.

“Kur isha i vogël kam bërë edhe sulmuesin, edhe numrin 10. Në Itali kam ndryshuar shumë role. E rëndësishme është që skuadra të fitojë, nuk ka rëndësi se ku luaj unë. Zgjedhjet i bën trajneri, sot zgjodhi kështu.

Mund të luaj edhe si mbrojtës krahu, nuk ka problem”, tha Perisiç që në fund kishte një mesazh edhe për tifozët: “A ndihem unë interist? Interi është e tashmja ime, kurse Bajerni e shkuara dhe unë nuk dua të flas për të shkuarën. Tifozët i falënderoj për mbështetjen pasi është bukur që pas thuajse dy vitesh të shohim stadiumin plot dhe të ndjejmë mbështetjen e tyre”.