Vllaznia shpëtoi sezonin me fitoren e fundit ndaj Bylisit. Pas një nisjeje me vrull dhe me pretendime të larta, ku në Shkodër diskutohej edhe titulli kampion, kjo edhe për faktin se në ekip erdhën futbollistë cilësorë, arritja e Kupave të Europës mund të quhet shpëtimi i këtij sezoni që lamë pas.

Mirëpo, në kampionatin e fundit, si pasojë e largimeve të shumta që prekën veçanërisht prapavijën, problemet ishin të mëdha, teksa në 36-ndeshje skuadra pësoi plot 37-gola. Megjithatë, në portë te shkodranët u konfirmuan përsëri edhe njëherë tjetër në këtë sezon Bojan Zogoviç dhe Kristi Qarri, teksa mund të thuhet se bënë një paraqitje të mirë në këtë kampionat me fanellën e Vllaznisë.

Megjithatë, çfarë ka ndodhur me portierët te shkodranët dhe pse ky sezon ishte zhgënjyes në tërësi për ekipin, edhe pse u arrit Europa? Për këtë ka folur ditën e sotme në një intervistë të gjatë për “Shkodra Sport” trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi.

Ai ka analizuar kampionatin e fundit, por jo vetëm, duke treguar edhe detaje të punës dhe shembullin që ndjek për portierët. Lekiqi u shpreh se ky sezon nuk ishte më i miri i mundshëm për ekipin e Vllaznisë, por theksoi se kjo skuadër dita-ditës po rikthehet në identitet. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-Lekiqi, si e keni parë sezonin që u mbyll, çfarë mund të bënte më mirë Vllaznia?

Përshëndetje dhe ju falënderoj ju si staf për hapësirën e pafund që i jepni futbollit dhe sportit në përgjithësi si një dritare pasqyrimi dhe njëkohësisht informimi për qytetin dhe tifozët e shumtë që Vllaznia ka në çdo cep të Shqipërisë. Do ta filloja me një falënderim për të gjithë faktorët dhe aktorët që minimalisht bënë të mundur pjesëmarrjen e ekipit në Kupat e Europës, sportistët, të gjithë trajnerët, ndihmësit, stafin drejtues, stafin mjekësor, tifozët tanë të mrekullueshëm dhe të gjithë njerëzit që punojnë dhe kontribuojnë në klubin Vllaznia.

Në fund, kam edhe një falenderim të veçantë për presidentin tonë, Alban Xhaferi, që bëri të mundur që më në fund, Vllaznia të rikthehet në identitet pas më shumë se një dekadë përpëlitjesh. Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment që në drejtimin e tij për tre vite, ekipi i Vllaznisë ka fituar dy Kupa Republike dhe merr pjesë rregullisht në Kupat e Europës, që kurrsesi nuk janë pak dhe nuk duhet të harrojmë që dy sezone më përpara, ishim deri në momentet e fundit pretendent për të fituar kampionatin.

Tani, të kthehemi tek sezoni që lamë pas, që padyshim nuk ishte më i miri i mundshëm, por një analizë e detajuar i takon ditëve në vazhdim të atyre që kanë bërë të mundur ndërtimin e ekipit dhe padyshim të gjithëve ne që ishim pjesë e këtij sezoni. Në optikën time, ishin shumë faktorë që bënë që ky sezon të mos ishte në nivelin që të gjithë pritëm. Dëmtimet e shpeshta që patëm gjatë kampionatit, sigurisht edhe ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve, mendoj se kanë ndikimin e tyre tek performanca e këtij sezoni, por nuk duhet të anashkalojmë edhe përgjegjësitë e gjithësecilit që në momente të caktuara mund dhe duhet të kishin bërë më shumë, duke pasur parasysh cilësitë që ekipi ka pasur në këtë sezon, që të bënin të mundur justifikimin e një farë mënyre të investimit që është bërë në skuadër.

Unë i kuptoj shumë mirë gjithë tifozët dhe dashamirësit e Vllaznisë që në momente të caktuara kanë shfaqur pakënaqësi, por duhet të mirëkuptojnë që jo gjithmonë gjërat shkojnë siç i parashikojmë. E rëndësishme është që bëmë të mundur kënaqësinë ndoshta minimale të të gjithëve ne, bashkë me tifozët tanë të mrekullueshëm për të mos “minosur” do të thoja një sezon, ku pritshmëritë sigurisht ishin më të mëdha.


-E mendonit në fillim se gjërat mund të shkonin kaq keq?

Fillimisht, do doja t’ju korrigjoja pak miqësisht, sepse kur themi kaq keq nënkuptohet që nuk është arritur asnjë gjë, por duke pasur parasysh formulën e kampionatit tonë dhe ashpërsinë që ka qenë prezente deri në momentin e fundit, besoj se diçka u arrit. Megjithatë, kjo nuk justifikon pritshmëritë që ne të gjithë kishim përpara fillimit të sezonit. Mos të harrojmë se lamë pas disa ekipe që sistematikisht kanë investuar për të qenë pjesë e Kupave të Europës dhe disa gjëra nuk duhet të shihen “bardhezi”.

Në fakt, këtu vlen të përmenden ekipe si Laçi, Kukësi dhe pse jo Teuta e Erzeni që përpara katër-pesë javësh ishin shumë më lart në tabelë. Pra, lufta ka qenë shumë e fortë për një vend në Kupat e Europës. Të gjithë pa përjashtim presim dhe dëshirojmë të shpallemi kampion, por ecuria e këtij sezoni patjetër që do të ketë skepticizëm. Për këtë jam i bindur. Megjithatë në përfundim, gjithsesi unë jam i bindur që diçka u arrit dhe duhet ta shijojmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe të japim pak nota pozitiviteti formatimit të ekipit për sezonin e ri, që gjithashtu do të jetë i gjatë dhe i lodhshëm.


-Lekiqi, kemi parë që Vllaznia e merrte shumë lehtë golin këtë sezon, çfarë ndodhi me mbrojtjen e skuadrës në tërësi?

Kur përmenda më sipër mungesat e shpeshta të disa futbollistëve kryesorë, pjesa e repartit të mbrojtjes ka qenë ajo që është prekur herë pas here nga mungesat dhe kjo ka sjellë dashje pa dashje një dhimbje koke për trajnerin dhe stafin, sepse po t’i analizojmë ndeshjet me qetësi, pothuajse kemi pasur probleme në konfigurimin e ekipit në fazën defensive, sepse kapiteni Gurishta ka disa javë që nuk ka qenë i mundur për arsye të një dëmtimi. Gjithashtu Smajli, pastaj mungesat e herë pas hershme të Bulatoviç dhe Juriç, ndoshta pak më të rralla, por janë faktorë shumë të rëndësishëm të përformancës së ekipit. Unë besoj se mospasja e një stabiliteti që ishte për arsyet që thashë më lart, ndoshta ishte një ndër faktorët e mosfunksionimit në mënyrën më të mirë ndër disa situata.


-Lekiqi, jeni i kënaqur me paraqitjen e portierit Zogoviç apo keni rezerva?

Sigurisht, tani në veçanti dua të falënderoj dhe t’i komplimentoj gjithashtu repartin, ku unë patjetër që jam përgjegjës për tre portierët e ekipit, pikërisht për Zogoviç, Qarrin dhe Jukaj. Jam i kënaqur padyshim për kontributin e Zogoviç, jo vetëm për këtë sezon, por për gjithë këto sezone që është pjesë e klubit tonë dhe padyshim që, është pjesë e rëndësishme e të gjitha sukseseve dhe përformancave të mira që ekipi ka pasur në këto tre sezone, që Zogoviç është pjesë e jona. Një djal profesionist dhe një shembull i vërtetë në të gjitha aspektet, që sigurisht ma ka bërë punën më të lehtë, duke qenë në çdo moment mirëkuptues dhe energjik në çdo seancë stërvitore. E them pa ndrojtje se vitet për të janë thjesht numër. Në aspektin teknik e konsideroj pozitive përformancën e tij. Jam i hapur për çdo diskutim ose momentet jo të një ndeshje, që për portierët janë të pashmangshme, por ecuria ka qenë konstante edhe e qëndrueshme nga ndeshja në ndeshje.


-Këtë sezon u afirmua edhe më shumë i riu Qarri, a është porta një garanci për Vllazninë e kampionatit të ardhshëm?

Për sa i përket Qarrit, jam krenar që pjesën më të madhe të formimit të tij si sportist, e ka me mua dhe ndihem i plotësuar profesionalisht, kur shikoj rritjen e tij nga ana profesionale nga dita në ditë. Sigurisht që, ky sezon pati minuta edhe për Kristin, por ta them me zemër të hapur kur i thonë fjalës, ndoshta ndihem pak në faj, sepse do të meritonte më shumë minuta këtë sezon, por ka qenë ndoshta pak i kushtëzuar nga përformanca e mirë e Zogoviç. Me Qarrin diskutoj shumë shpesh dhe për çdo situatë, sepse lidhja ose bashkëpunimi që kemi në seancat stërvitore, do ta ndihmojë të rritet me baza të shëndoshta për t’u bërë një pikë e fortë e ekipit të Vllaznisë. Besoj se nuk gaboj po të them që po. Porta është garanci për sezonin e ardhshëm dhe këtu kam parasysh një portier shumë të talentuar që është Qarri.


-E fundit profe edhe për ta mbyllur, si trajner portierësh, a mund të na thoni se sa ka evoluar kjo detyrë në vitet e fundit dhe cilat janë risitë në punën që bëni?

Puna me portierët për mua është adrenalina dhe kënaqësia më e madhe, sepse jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam në formimin e sportistëve, që duhet të jenë të denjë për të mbrojtur portën e Vllaznisë. E them pa modesti këtë që do jap maksimumin tim sa të kem mundësi fizike dhe profesionale për t’i shërbyer në mënyrën më të mirë të mundshme kësaj pune që për mua, është një kënaqësi më vete. Sigurisht që, roli i portierit modern në futbollin e sotshëm kërkon risi të shpeshta profesionale dhe sigurisht që, tashmë besoj dhe ndihem i plotësuar për të dhënë më të mirën.

Dua t’i vendos në praktikë të gjitha ato, ç’ka përvoja tashmë edhe kurset, informacionet që kam për këtë rol të rëndësishëm, t’i vendosim në praktikë në çdo seancë stërvitore, që për hir të së vërtetës janë herë pas here edhe të lodhshme. Në fakt, ndonjë risi të veçantë nuk kam, por do të thoja që përveç programit stërvitor që mundohem të jetë bashkëkohor, kam parim dhe i jap rëndësi të veçantë komunikimit dhe bashkëbisedimit me portierët e mi, sepse vetëm në qoftë se jemi të hapur dhe bashkëpunues, do të shikojmë përmirësim tek vetja.


-Faleminderit Lekiqi dhe ju uroj suksese në punën tuaj në vazhdim!

Faleminderit edhe ju Maringlen. Në fakt, ishte kënaqësi kjo bisedë me ju dhe ju falënderoj dhe ju uroj gjithë të mirat!
Maringlen ZHIVANI