Humbja dy ditë më parë ndaj Partizanit në ndeshjen e parë gjysëmfinale të play-offit ka bërë që Vllaznia e volejbollit të femrave të jetë pothuajse e dorëzuar për në ndeshjen e kthimit në Shkodër, ku do të ndeshen ditën e nesërme. Vajzat kuqeblu e kanë arritur objektivin e tyre, i cili ka qenë për të hyrë edhe sivjet në mes katër ekipeve më të mira të kampionatit dhe prandaj, tashmë duket gjithçka e përfunduar për këtë edicion.
Trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Dorjan Tafa, në një intervistë për “Shkodra Sport” shprehet se është e pamundur që nesër ndaj Partizanit të merret një rezultat pozitiv, ndërsa theksoi se eksperienca ndikon shumë në sportin e volejbollit, ç’ka tek ekipi kuqeblu ka munguar disi në këtë sezon. Më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e trajnerit të Vllaznisë, Dorjan Tafa, dhënë për “Shkodra Sport”, gazetarit Maringlen Zhivani.
-Profesor Tafa, në gjysëmfinale ndaj Partizanit, por e humbët ndeshjen e parë 3-0, çfarë ndodhi?
Unë e kisha parashikuar një gjë të tillë, siç edhe jemi shprehur në intervista të tjera. Nuk do të thotë kjo gjë që ne nuk e kishim përgatitur këtë ndeshje, por duhet të jemi realist dhe ta pranojmë që janë ekip më i mirë se ne. Unë mendoj që Partizani është ekipi pretendent për kampionatin. Këtu flasim për fakte, sepse është investuar shumë tek ky ekip dhe në organikën e tyre kanë volejbollistet më të mira të Shqipërisë.
-Besoj e kishit menduar që Partizani do t’ju dominonte apo jo, prisni një gjë të tillë edhe nesër në Shkodër?
Patjetër që e kishim menduar dominimin, sepse Partizani që në merkaton e verës grumbulloi volejbollistet më të mira të kampionatit shqiptar, duke afruar shuteren Braho, si edhe duke rikthyer pasuesen me eksperiencë Çezarina Xheka. Po ashtu, përveç këtyre afruan edhe dy volejbolliste nga Kuba të nivelit ndërkombëtar. Unë mendoj se është pak e pamundur të arrijmë rezultat pozitiv kundrejt një ekipi të tillë. Mendoj se edhe nesër në Shkodër do të jetë e njëjta panoramë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk e kemi vlerësuar ndeshjen.
-Tafa, ju kemi pyetur shpesh herë për mungesën e eksperiencës tek ky ekip, ndikon një gjë e tillë në organikën e ekipit tuaj?
Patjetër që, eksperienca ndikon shumë në këtë sport dhe vajzat tona kanë eksperiencën për të luajtur me ekipet e të rejave, por Superliga është komplet diçka tjetër. Ajo që na bën të jemi optimistë është fakti se vajzat tona po përshpejtojnë etapat e pjekurisë, duke u përballur me ekipe cilësore. Kjo u vërtetua edhe me eleminimin e Barleti Volley, një ekip ky me vajza me eksperiencë i drejtuar nga një duet trajnerësh shumë të aftë si Gorenxa dhe Pogoni.
-Si e shikoni të ardhmen e këtij ekipi?
E ardhmja e këtij ekipi, ashtu si e të gjithë ekipeve zinxhirë mund të them se do të jetë vetëm positive. Ne po punojmë fort çdo ditë. Do punojmë edhe më shumë në fazën përgatitore, ku do kemi mundësi të përgatitemi më shumë individualisht. Kemi vajza të talentuara që po të vazhdojnë me të njëjtin pasion, mendoj se për pak kohë disniveli me ekipet si Tirana, Partizani apo Skënderbeu do të jetë i padukshëm.
-Një mesazh për tifozërinë në ndeshjen që do të jetë ndoshta e fundit e këtij kampionati për ju?
Ne kemi shumë përgjegjësi dhe detyrim për të mos i zhgënjyer asnjëherë. Tifozëria e veçantë e volejbollit është shumë speciale dhe na ka mbështetur sa herë që kemi pasur nevojë për mbështetje. Do jetë gjithmonë lojtari plus i ekipit të Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI