Vllaznia u-11 arriti të ishte kampione në këtë grup moshë në fund të këtij edicioni. Kuqeblutë arritën të triumfonin ndaj bashkë moshatarëve të tyre duke merituar titullin kampion në fund. Për këtë sukses dhe vështirësitë që kanë pasur gjatë sezonit ka folur për “Shkodra Sport”, Ylad Pirani. Trajneri i Vllaznisë u-11 shprehet shumë i kënaqur për këtë titull dhe po ashtu premton se puna e mirë do vijojë tek kjo grup moshë.
-Si fillim urime për titullin kampion tek u-11. Një sukses i merituar apo jo?
Shumë faleminderit ! Të them të drejtën kam dy vite që trajnoj lojtarë të vit-lindjes 2012 (u-11) dhe kishte disa vite që kjo moshë nuk dilte kampion. Qëllimi kryesor në fillim ishte masivizimi, shëndeti dhe argëtimi i fëmijëve.
Sa i përket titullit ishte më se i merituar. Kemi luajtur 3 faza me nga 10 ndeshje. Ku në fazën e parë kemi fituar 7 ndeshje, humbur 2 dhe barazuar 1. Në fazën e dytë skuadra ka fituar 9 ndeshje dhe ka barazuar 1 ndërsa në të tretën i ka fituar të gjitha ndeshjet.
-Ishte një kampionat i fortë ky që mbyllët së fundmi ? E kishte konkurrencën e duhur?
Të them të drejtën kampionati i fëmijëve është gjithmonë i fortë sepse aty janë të gjithë njësoj. Kemi pasur dy grupe, A dhe B me nga 11 ekipe. Sivjet ishte një risi sepse ndeshjet ishin me vajte-ardhje. Fëmijët kanë pasur mundësi të luajnë në gjithë Shkodrën. E po ashtu emri i Vllaznisë patjetër i motivon kundërshtarët.
-Sa e vështirë është të punosh me mosha kaq të vogla sepse patjetër duan një trajtim më specifik apo jo?
E rëndësishme është masivizimi siç e thashë në fillim. Në fillim duhet disiplina dhe pastaj fillon puna për të mësuar futbollin. E thonë të gjithë ekspertët që fillimet e lojës së futbollit janë teknika me topin. Ku janë elementët bazë si: pasimi, driblimi, goditja e topit e të tjera. Unë jam i lumtur që kam punuar këto vite me këto mosha. Është kënaqësi dhe përgjegjësi për të nxjerrë breza të lojtarësh elitarë.
-Mund të kemi një talent të së ardhmes nga kjo grup moshë ku ju keni drejtuar së fundmi?
Qëllimi kryesor është që çdo vit të përmirësohe kjo grup moshë. Mos të ndalen me sukseset dhe fitoret. Të jenë të disiplinuar dhe të punojnë fort. Mendoj se është një grup shumë i mirë për të ardhmen dhe besoj se cilësitë e tyre do dalin në pah me kalimin e kohës.
-Cila do ishte këshilla për fëmijët e vegjël që fillojnë e merren me sport apo konkretisht me futbollin?
Sporti ka përfitime të mëdha për këdo, pavarësisht moshës apo gjendjes fizike. Tek fëmijët jep shumë kontribute pozitive, si në nivelin e shëndetit fizik dhe mendor, ashtu edhe në vlerat dhe aspektet sociale. Të merren sa me tepër me futboll dhe sport. Futbolli të mëson të menaxhosh fitoren apo edhe dështimin. Është një “mësues” nëse mund ta cilësoj kështu edhe për jetën.
-Dhe në fund, a duhet të kemi më shumë terrene sportive ku të rriten breza të shëndetshëm sportistësh?
Na duhen terren sportive dhe veçanërisht klasa të zgjedhura në shkolla që mund të jenë të dedikuara ndaj futbollit. Ne si qytet kemi një numër shumë të madh futbollistësh që merren me futboll dhe për këtë duhet të kemi sa më shumë fusha në të ardhmen. Dhe si fund ju falenderoj për intervistën dhe uroj që interesi publik ndaj Vllaznisë të jetë gjithmonë i lartë. Sepse Vllaznia ka qenë dhe do mbetet pjesë e kulturës së Shkodrës.