Vangjel Laluci e shikon vendimtare ndeshjen me Partizanin. Ish drejtori i klubit vlonjat për “Panorama Sport”, shprehet se ky takim i së dielës jep shpresë për mbijetesën. Laluci thotë se futbollistët kanë nevojë për energji pozitive.
“Me Partizanin është një ndeshje vendimtare. Është një takim që ne na nxjerrë dhe na jep shumë shpresë për të shpëtuar. Djemtë kanë nevojë për të marrë më shumë energji pozitive. Uroj që ta fitojmë ndeshjen me Partizanin, pasi ai do të jetë një hap shumë i madh që ne na pozicionon në tjetër vend”, shprehet fillimisht Laluci.
PROBLEMATIKAT DHE VAZHDIMËSIA – Vangjel Laluci shprehet se Flamurtari është një ekip sakat. Sipas ish drejtorit shpresat për te ardhmen jane të pakta. “Ne jemi një ekip sakat. Sa bëjmë një gjë nuk kemi vazhdimësi. Mbetemi gjithmonë edhe kur arrijmë një rezultat, jemi në kufijtë e mbijetesës
. Ne gëzojmë se morëm një pikë me Dinamon. Mirë bëjmë se është pikë e rëndësishme edhe për psikologjinë, bëmë një hap pozitiv edhe në klasifikim. Kapëm Bylisin dhe me golavarazh jemi në vendin e 9-të. Pra ka të mirat e veta. Por ne që e kemi ndjekur kampionatin dhe shpresa është e vakët.
Me Dinamon ne e morëm pikën. Por çfarë pamë? Pamë një ekip që rastësisht të pestë lojtarët tanë ishin komplet në mbrojtje. Duke qenë se terreni ishte i rënduar dhe Dinamo është një ekip që luan poshtë me Dejvin që mundohej që të luante në çdo pozicion të fushës por nuk gjente hapësira. Nuk të favorizonte as fusha por edhe Dinamo ishte e lodhur nga ndeshja që luajti për kupën. Por këto nuk janë justifikime. Nuk jam i kënaqur. Morëm një pikë dhe shkuam një vend më lartë. Por që të kënaqesh duhet që ky ekip të bëjë edhe shumë gjëra të tjera”, thotë ish drejtori.
MERKATO – Ish drejtori i klubit, Vangjel Laluci ngre si shqetësim edhe situatën e lojtarëve që erdhën në merkato e janarit. “Ne vërtetë morëm lojtarë, por ata lojtarë nuk janë gati ose nuk ja mbushin mendjen trajnerit. Nuk e di pse? Nuk e di nëse kanë qenë vërtetë zgjedhjet e tij apo jo. Ne për 12 ndeshje e mbyllim. Janë dy muaj. Do ketë ngarkesë pasi do të jetë edhe Kampionatit Botëror. Situata do të bëhet edhe më e vështirë”, përfundon Laluci.


