Vllaznia do vizitojë Korçën ditën e nesërme, ku në kuadër të javës së 3-të të Superiores do jetë përballë vendasve të Skënderbeut. Sfida që do luhet në orën 20:00 pritet shumë interesante, mes dy skuadrave që gjithmonë kanë ditur të dhurojnë duele të bukura. Por si rëndomë në ndeshjet e kampionatit tonë edhe kjo është një duel “ish-ësh”.

Duke nisur nga Vllaznia, ku tek kuqeblutë sot janë dy ish-protagonistë të Skënderbeut në vitet e shkuara. I pari është drejtori sportiv, Tefik Osmani, i cili patjetër ka kontribuar për ekipin e vendlindjes së tij. Madej me shumë sukses ku dy herë arriti të kualifikohej edhe në grupet e Europa League me bardhekuqtë. I dyti tek Vllaznia është Melos Bajrami.

Pavarësisht se nuk pritet të jetë në fushën e lojës është një ish-futbollist i Skënderbeut. Me juglindorët ai ka kaluar 2 sezone në futbollin shqiptar. Tek Skënderbeu një “ish” kuqeblu është Ardit Nikaj. Sulmuesi pavarësisht se nuk ka luajtur si profesionist me ekipin e parë të Vllaznisë, është rritur tek moshat kuqeblu. Aty ku ka hedhur edhe hapat e parë drejt futbollit profesionist.

Një duel mes “miqsh” do zhvillohet në Korçë ditën e shtunë. Që patjetër për 90 minuta do i harrojnë miqësitë jashtë fushe dhe do luftojnë për pikët. Ku si Skënderbeu ashtu edhe Vllaznia nisen me pretendime serioze këtë kampionat. Dhe minimalisht objektivi i dy skuadrave është sigurimi i “final 4”, ashtu siç bënë edhe sezonin e shkuar.

Endri ÇINARI