Nga Endri ÇINARI

Tirana – Egnatia ishte takimi i rradhës i javës së dytë të Superligës. Ndeshja që u zhvillua në “Selman Stërmasi” në orën 13:45 nuk prodhoi asnjë fitues. Kjo pasi bardheblutë dhe rrogozhinasit “kopjuan” rezulatin e çifteve parardhëse duke ndarë një barazim 1-1 mes tyre.

Ndeshja nuk është se prodhoi një ritëm shumë të lartë sidomos në pjesën e parë ku pavarësisht iniciativës së Tiranes, nuk pati raste shumë të pastra shënimi.

Gjithçka ndryshoi në fraksionin e dytë, ku të besuarit e Shehit e nisën më “këmbën në gaz”. Dhe në këtë mënyrë gjetën edhe golin me anë të Seferit. Një supergol në të vërtetë, ku sulmuesi i kryeqytetasve lëshoi një “predhë” në hyrje të zonës.

U duk se çdo gjë tashmë do ishte nën kontrollin e Tiranes, por nuk mendonte kështu Demir Imeri. Ish-mesfushori i Vllaznisë sezonin e kaluar, vetëm 6 minuta pas golit të Seferit i kundërpërgjigjet atij me një “perlë”. Shtatshkurtëri i gjendur i vetëm në zonë, lëshon një gjuajtje me hark që është e pakapshme për Bekajn. E në këtë mënyrë rezultati shkon 1-1.

Iniciative në vijim do ishte prapë e Tiranes, por pa arrritur të konkretizohej në gol. Ndeshja mbyllet në shifrat 1-1 duke qenë rezultati i katërt identik i kësaj jave në Superiore.

Një pikë kjo që patjetër gëzon shumë Egnatian në një transfertë shumë të vështirë, por nga ana tjetër lë një zhgënjim të madh tek Tirana pasi ku cilësohet si një hap fals në pretendimet e mëdha që kanë 25 herë kampionët e vendit në këtë sezon.