Dritan Smajli jep dorëheqjen nga stoli i Shënkollit. Humbja e javës së 7-të përballë Devollit ka sjellë vendimin e parevokueshëm të trajnerit. Klubi ka nxituar për të gjetur edhe pasardhësin, duke ia besuar “timonin” Anteu Pepës. Nuk është emër i panjohur, pasi më herët ka drejtuar edhe Besëlidhjen për disa javë.
Pritet që prej ditës së sotme ai të nisë zyrtarisht nga puna, me shpresën që këtë fundjavë në transfertën delikate me Orikun të vijë edhe kthesa e madhe.
Gjatë një prononcimi të dhënë shkurtimisht për “Panorama Sport”, tekniku i larguar tashmë nga detyra ka dhënë shkaqet që e çuan deri në këtë pikë. “Vendimi për t’u larguar nga drejtimi i Shënkollit është personal dhe i parevokueshëm. Unë e mora këtë hap, pasi e gjykova që në këtë post të vijë dikush tjetër, që mund të vijojë më mirë rrugën drejt objektivit final, që është mbijetesa.
Deri tani unë kam qenë plotësisht i angazhuar në stërvitjen e ekipit, por rezultatet nuk ishin ato që prisja. Ndaj edhe mora përgjegjësitë mbi vete, duke e lënë postin e trajnerit. Shënkollit, drejtueseve dhe trajnerit të ri u uroj suksese dhe jam i gatshëm të jem krah tyre pa rezerva”, u shpreh Dritan Smajli.