Ish- kapiteni i Elbasanit në vitet 2000, Gentian Bylykbashi, analizoi përballjen mes dy skuadrave kryesuese në stadiumin “Loro Boriçi”. Sipas tij, pavarësisht terrenit të rënduar nga reshjet e shiut, sfida ishte e nivelit të lartë dhe një reklamë e mirë për futbollin shqiptar.
”Në tërësi ishte një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet, të cilat jo rastësisht ndodhen në krye të klasifikimit. Kishte ritëm, intensitet dhe raste shënimi nga të dyja anët. Ashtu si rrofhi loja, mund ta fitonte cilado skuadër. Edhe pse terreni ishte i vështirë për shkak të shiut, u zhvillua një takim cilësor dhe do ta vlerësoja si një kornizë shumë të mirë për kampionatin tonë”, u shpreh fillimisht ish-mesfushori.
Sipas Bylykbashit, humbja në Shkodër nuk duhet dramatizuar dhe në asnjë mënyrë nuk vë në diskutim objektivin minimal të sezonit, që është pjesëmarrja në “Final 4”. Ai thekson se diferenca e krijuar me ndjekësit i jep qetësi skuadrës elbasanase për fazën e mbetur të kampionatit.
”Në kushtet ku ndodhet aktualisht Elbasani dhe me ecurinë që ka treguar gjatë gjithë sezonit, mendoj se ‘Final 4’ nuk është në rrezik. Për mua, Vllaznia, Egnatia dhe Elbasani janë relativisht të qeta në këtë aspekt, pasi kanë krijuar një distancë sigurie nga pjesa tjetër e tabelës. Lufta më e fortë do të jetë për vendin e katërt, ku shoh një garë të hapur mes Dinamos, Partizanit dhe Teutës, deri në javët e fundit”, theksoi ai. Madje, ishkapiteni shkon edhe më tej, duke besuar se Elbasani duhet të synojë më shumë sesa thjesht “Final 4”.


