Edi Reja do të nisë zyrtarisht në ditët e ardhshme aventurën e tij në stolin e përfaqësueses shqiptare me grumbullimin e parë të kuqezinjve në përgatitjet për eliminatoret e Euro 2020. Trajneri në këto ditë ka monitoruar futbollistët kuqezi në Europë, por edhe ka plotësuar stafin e ndihmësve që do të ketë përkrah në këtë aventurë kuqezi, duke afruar disa emra mjaft të njohur në pankinën e përfaqësueses kuqezi.

Stafi i tij shqiptar është konfirmuar prej kohësh, me Hamdi Salihin dhe Ervin Bulkun që do të jenë asistentët e trajnerit dhe do ta ndihmojnë si në terrenin stërvitor, ashtu edhe me monitorimin e futbollsitëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tekniku ka afruar emra të rinj në staf, ku ka mbajtur gjithsesi një pjesë të atyre që kanë qenë edhe nën urdhrat e Panuçit si Luka Laurenti (përgatitës fizik) apo Alariko Rosi (analist video).

Megjithatë, dy do të jenë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rejas në këtë rrugëtim. I pari është përgatitësi i tij atletik, Luixhi Febrari, një nga personat më të besuar të trajnerit. Ai e ka ndjekur për shuëm vite në karrierë në klube si Napoli, Hajduk Split apo Atalanta, ndërsa ka shërbyer edhe te Roma në këtë pozicin. VIP Sport ka mësuar se në javët e kaluara, Febrari ka kontaktuar me një pjesë të futbollistëve të përfaqësueses shqiptare dhe u ka dhënë atyre programe specifike pune për të përgatitur grumbullimin e qershorit.

Ndërkohë, asistent i parë i trajnerit italian do të jetë një emër i njohur në futbollin italian, ish-mbrojtësi i Juventusit, Serxhio Porrini. Si futbollist ai ka qenë pjesë e bardhezinjve në një prej epokave të arta të këtij klubi, nga viti 1993, deri në vitin 1997, duke fituar me të gjithçka në Itali, por edhe Ligën e Kampioneve, Superkupën e Europës dhe Kupën Ndërkontinentale në vitin 1996.

Porrini, i cili ka pasur një karrierë të suksesshme edhe në Skoci si pjesë e Rejnxhërs, do të jetë asistenti i parë i trajnerit në stafin e përfaqësueses shqiptare. /vipsport/