Në verën e vitit 2020 një nga afrimet e merkatos së Vllaznisë ishte Isamel Dunga. Për shumë kënd në kampionatin shqiptar ishte goxha i njohur pasi ishte aktivizuar më parë me Luftëtarin e më pas me Tiranën ku u shpall edhe kampion. Por të gjithë në Shkodër e shikonin me skepticizëm kenianin i cili nuk është se kishte pasur një sezon të suksesshëm.
Por lojtari afrikan do tregonte vlerat e tij në Shkodër. Në gjysmën e parë të sezonit 2020-21, ai do arrinte të shënonte 4 gola me kuqeblutë, ku do i jepte pikë shumë të rëndësishme Vllaznisë. Nuk harrohet nga tifozët ai gol pikërisht kundër bardhebluve në fitoren 3-2 në minutën e fundit të lojës.
Qëndrimi i Dungas në Shkodër nuk do ishte i gjatë pasi në janarin e vitit 2021, ai do transferohej në Japoni. Skuadra e Sagan Tosu pagoi tek Vllaznia për kartonin e sulmuesit duke parë tek ai një lojtar të rëndësishëm. Por aventura në vendin e samurajeve nuk shkoi edhe aq e suksesshme për 28-vjeçarin.
Ai është aktivizuar me pikatore në kampionatin japonez, i cili ka mbyllur sezonin ku skuadra e Sagan Tosu është renditur në vendin e 7-të me 59 pikë. Dunga në ndeshjet e fundit të kampionatit madje nuk është grumbulluar fare nga ekipi i tij duke treguar kështu një “krisje” që pritet të sjellë në largimin e afrikanit nga ekipi japonez.
Endri ÇINARI