Humbja që Kosova i shkaktoi Sllovenisë në Lubjanë ishte fatale për përzgjedhësin Matjaz Kek, pasi Federata e Futbollit të Sllovenisë vendos të mos e vazhdojë më bashkëpunimin me të.

Lajmi për ndarjen e palëve u bë i ditur të hënën, ndërsa tani vetë Kek, në një intervistë për mediumin e njohur kroat Sportske Novosti, ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovën.

Ai shprehu dëshirën që Kosova të jetë pjesë e Kampionatit Botëror që vitin e ardhshëm do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

“Tani pasi Sllovenia nuk është në Botëror, nuk kam probleme se për kë të bëj tifo në Kampionatin Botëror. Çdo gjë është më e lehtë”.

“Dëshiroj që edhe Bosnjë-Hercegovina të kualifikohet, edhe Kosova le të kalojë”, ka deklaruar ai.

Gazetari kroat ia kujtoi se Kosova e eliminoi Slloveninë nga gara për Botërorin dhe trajneri e pranoi faktin.

“Po, është e pakëndshme që na ka mposhtur 2-0 në Lubjanë. Para kësaj kemi luajtur në Prishtinë ndeshjen më të mirë dhe është dashur të fitojmë”.

Ndeshja e tetorit në Prishtinë kishte përfunduar pa gola, me sllovenët që kishin krijuar më shumë raste shënimi.

Në përfundim të kualifikimeve, Kosova u rendit e dyta dhe siguroi pjesëmarrjen në ‘play-off-in’ e marsit, ndërsa Sllovenia përfundoi në vendin e tretë.

Kek vlerësoi nivelin e Kosovës dhe mënyrën se si funksionon ekipi.

“Më ka treguar se në cilën mënyrë mund të funksionojnë vendet e vogla, me bazë më të vogël të lojtarëve por me kualitet shumë të mirë. Ka fituar shumë lojtarë që luajnë në Gjermani, Spanjë”.

“Kur i ke 7-8 të tillë, formon ekip shumë të mirë. Për mua ishte dëshpëruese, por në anën tjetër e pranoj që te Kosova ishin më të mirë”, ka thënë Kek mes tjerash.

Kujtojmë se Kosova në gjysmëfinale të ‘play-off-it’ luan me Sllovakinë në Bratisllavë dhe nëse e fiton atë ndeshje, e pret Turqinë apo Rumaninë në finale e cila vendos kush do të kualifikohet në Botëror.