Masimo Morati është rikthyer të flasë për situatën në klubin zikaltër. Ish-presidenti i Interit ka komentuar gjendjen financiare të klubit dhe ka përsëritur opinionin e dhënë të disa ditëve më parë për shitjen e Lukakut.
“Unë mendoj se nevoja për të sjellë të ardhura i ka detyruar drejtuesit të vendosin për largimin e Lukakut. Nuk e di gjendjen aktuale ekonomike dhe nuk mund të shprehem në detaje, por situata me pandeminë e ka përkeqësuar situatën e përgjithshme.
Mendoj se është i nevojshëm një rishikim i të gjithë sistemit, për t’u dhënë gjërave drejtimin e duhur”, u shpreh Morati për radio “Napoli”. Ai rezervoi një koment edhe për temën më të nxehtë të momentit, të ardhmen e Lionel Mesit:
“Mesi tek Interi? Në kohën time, nëse do të kishte mundësi, do të kisha bërë gjithçka për ta sjellë te ne, por sot gjithçka ka ndryshuar”, ka pranuar ish-presidenti duke mos e fshehur dëshirën për ta parë “Pleshtin” me fanellën zikaltër.