Deklarata e fundit nga ana e Valon Behramit se nuk kishte marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës ka sjellë reagime të shumta. Një nga ata të cilët është prononcuar për këtë temë është edhe ish-trajneri i Dardanëve në atë periudhë, Agim Bunjaku. Për FFK, Bunjaki ka theksuar se Behrami e kishte ftesën në tryezë, madje iu ofrua edhe shiriti i kapitenit, por në fund vendimi ishte një tjetër nga ai që shpresohej.
“Realiteti është që Valoni ka qenë prioritet. Madje ne jemi munduar me çdo kusht deri në ditën e fudnit, në 2016 para se të fillonin kualifikimet, për ta afruar atë. Unë personalisht kam qenë edhe në Zvicër, kam qenë edhe në Angli për ta takuar Valonin. Kam pasur kontakte të rregullta me babain e Valonit, Ragip Behramin, të cilin e kam mik të afërt dhe i dimë rrethanat si kanë qenë. Mirëpo përpjekjet për afrimin e Valonit kanë qenë edhe prej kryetar të ndjerë, Vokrri.
Valoni ftesën e ka pasur. Madje jo vetëm ftesën, por ka pasur edhe më shumë se ajo. Valonit iu ofrua edhe shiriti i kapitenit për të na u bashkangjitur. Ne kemi dashur të tregojmë sinqeritetin dhe që kemi pasur një projekt shumë të rëndësishëm. Mirëpo vendimi ka qenë i tij. Të gjithë i dinë ato deklarimet publike, të cilat ne i kemi përkrahur fundja-fundit edhe pse lojtarët kanë vendosur të qendrojnë. Mirëpo Valoni e ka pasur ftesën”, u shpreh Bunjaki. /VipSport/