Kur është luajtur më shumë se gjysma e sezonit në Itali, Juventusi duket se e ka hipotekuar vendin e parë dhe titullin e kampion, e Napoli mbetet edhe për një sezon nënkampion i Italisë. Lufta në Serinë A, sivjet duket e ashpër në disa fronte duke qenë se Liga e Kampionëve, ajo e Europës dhe mesi i artë i tabelës janë shumë afër me njëri-tjetrin.

Fitorja e fundit e Atalantës e ka bërë lëmsh renditjen në Itali, duke qenë se bergamaskët e Gjimshitit dhe Berishës kanë rikuperuar plot 4 vende në kampionat, duke u ngjitur të pestët. Por, ajo që bie më shumë në sy është diferenca e pikëve mes skuadrave që luftojnë për një vend në zonën Champions, që momentalisht është sa i arritshëm për të gjithë, aq edhe i pamundur.

Nga vendi i katërt që aktualisht mbahet nga Milani e deri në vendin e tetë që mbahet nga Sampdoria, diferenca e pikëve është vetëm 3. Kështu, një fitore e mundshme e klubeve që ndodhen në këtë pozicion i ngushton më shumë hendeqet për vendin e ‘bekuar’ ndërkohë që një humbje i largon disi nga Europa, përfshirë këtu edhe Ligën e Europës.

Atalanta dhe Roma janë momentalisht dy skuadrat të cilat renditen në vendin e pestë dhe të gjashtë, përkatësisht me nga 35 pikë, aq sa ka edhe vendi i shtatë që mbahet nga Lacio. Barazimi në këtë pikë të kampionatit, nuk i bën punë askujt, ndërkohë që skuadrat kanë nisur të shohin tashmë edhe nga vendi i tretë që mbahet nga Interi, me 4 pikë më shumë se Milani.

Forma e dobët e zikaltërve në këtë fillim vitit, i ka afruar të gjitha skuadrat me vendin e tretë dhe zona Champions është në fije të perit edhe për të besuarit e Spaletit. /VipSport/