Italia ka hyrë në fazën e përgatitjeve për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës ndaj Irlandës së Veriut, me dy dilema të mëdha që e shqetësojnë trajnerin Gennaro Gattuso – pavarësisht se ai ka theksuar se prioritet mbetet forca mendore e skuadrës.
Shorti i play-offit, që vendosi përballë Italinë dhe Irlandën e Veriut, ka sjellë reagime të shumta. Tifozët e Azzurrëve janë larg të qenit optimistë, pasi dy dështimet rresht për t’u kualifikuar në Botëror (2018 dhe 2022) kanë lënë plagë të thella. Në letër, sfida ndaj një kombëtareje të renditur e 69-ta nga FIFA nuk duhet të jetë problem, por italianët i njohin shumë mirë zhgënjimet – dhe humbja e turpshme ndaj Maqedonisë së Veriut është ende e freskët.
Italia atë natë në Palermo nuk meritonte të humbiste. Dominim total, raste të humbura dhe pastaj goditja e Aleksandar Trajkovskit që i dha fund ëndrrës. Që atëherë shumë gjëra ndryshuan: Mancini iku, pasoi Spalletti, e tani Gattuso. Por problemet mbetën. Italia u eliminua në 1/8 e Euro 2024 dhe pësoi shtatë gola në dy ndeshje kundër Norvegjisë në kualifikime, duke shënuar vetëm një herë.
Gattuso mori drejtimin në shtator, me pak kohë dhe me presion maksimal për të marrë pikë. Ekipi ishte i lodhur mendërisht dhe i paqartë taktikisht, dhe megjithëse “Ringhio” mori pesë fitore në gjashtë ndeshjet e para, ai nuk ka mundur ende të zgjidhë problemet rrënjësore të skuadrës. Realisht, askush s’do të mundte aq shpejt.
Gjysmëfinalja me një ndeshje e vetme do të luhet në Itali, ndoshta në “New Balance Arena” të Bergamos, por edhe këtë herë Gattuso do të ketë shumë pak ditë për përgatitje. Federata po tenton të krijojë një grumbullim të shkurtër para marsit, por kalendari i ngjeshur e bën mision të vështirë. Edhe sikur të shtohen disa ditë, nuk mjaftojnë për të transformuar një skuadër brenda natës.
Pra, ku duhet të fokusohet Italia për të mos humbur sërish Botërorin?
Së pari, në aspektin psikologjik. Kundër Norvegjisë u pa qartë – një pjesë e parë pozitive, por ekipi u shemb mentalisht pas barazimit. Presioni do të jetë armiku kryesor i Azzurrëve në këto dy ndeshje. Në gjysmëfinale, të gjithë e presin fitoren. Në finalen e mundshme, presioni ndryshon, sepse ndeshja do të luhet në transfertë – në Uells ose Bosnjë. Cardiffi mbetet skenari më i frikshëm për një skuadër që ka treguar dobësi mendore në momentet vendimtare.
Nuk është rastësi që, sipas Gazzettas, Gattuso u ka thënë lojtarëve të tij të kuptojnë “sa të fortë janë”, edhe pas humbjes 4-1 ndaj Norvegjisë. Është e vërtetë – Italia nuk ka më Baggion, Del Pieron apo Tottin, por cilësia ekziston. Lojtarë si Donnarumma, Calafiori dhe Tonali luajnë në Ligën Premier. Bërthama e Interit ka luajtur dy finale të Champions League në tre vite. Në sulm, Retegui dhe Kean po shënojnë më shumë se paraardhësit në arenën ndërkombëtare. Ka arsye për optimizëm, por jo për vetëkënaqësi – jo për një vend që nuk ka qenë në Kupën e Botës për më shumë se një dekadë.
Përveç aspektit mendor, Italia ka edhe një problem të madh taktik. Gattuso ka provuar shumë skema – përfshirë edhe 3-5-2 kundër Norvegjisë, ndonëse kishte deklaruar se linja me tre mbrojtës e bën ekipin shumë mbrojtës. Zgjedhjet në krahë janë problematike: Orsolini dhe Zaccagni nuk japin siguri në nivelin më të lartë. Situata mund të ndryshojë nëse Federico Chiesa vendos të rikthehet pas gati dy vitesh mungesë, por ende nuk ka sinjale konkrete.
Ndërkohë, lidhja e sulmit mes Reteguit dhe Keanit është një nga pikat e pakta pozitive. Prandaj Gattuso s’është i prirur të heqë dorë nga njëri prej tyre në play-off. Kjo e çon natyrshëm drejt 4-4-2 ose 3-5-2 – përveç nëse Kean zhvendoset pak majtas në një 4-3-3.
Italia vazhdon të vuajë mungesën e një lojtari që “bën diferencën” në 30 metrëshin e fundit, por cilësia totale është më e lartë se ajo e kundërshtarëve. Ndaj dështimi nuk ka justifikime.
Koha është e shkurtër, presioni është i madh dhe frika e një tjetër katastrofe gjithnjë e pranishme. Por nëse Gattuso arrin t’i stabilizojë mendërisht dhe t’u japë identitet taktik, Italia ka gjithçka për të shmangur një tjetër turpërim botëror./Telegrafi/







