Murataj dhe Zhunior kanë pasur probleme me ngarkesën dhe kanë pësuar tërheqje. Madje, Zhunior mungoi kundër Teutës dhe Daja po pret deri në momentin e fundit që t’i ketë gati të dy futbollistët nga minuta e parë.

Por, më e rëndësishme për trajnerin kryeqytetas, është funksionimi i manovrës dhe alternativat nuk i mungojnë nga stoli. Në rast se Murataj dhe Zhunior nuk ia dalin nga minuta e parë, atëherë emra si Cara, Lukas, Kote apo Ferhan Hasani, janë gati për ta nisur nga fillimi.

Vllaznia do të ketë një mungesë të rëndësishme, teksa mbrojtësi i majtë Aleksandër Isaevski nuk do të jetë për shkak kartonësh.

Por, për këtë përballje, Brdariç do të ketë të gatshëm mbrojtësin tjetër Mevlan Adili, që kthehet pas pezullimit. Nisur nga kjo prapavijë pritet që të ketë Zogoviçin në portë, ndërsa në mbrojtje katërshja Gurishta, Shehi, Adili e Imami.

Në mesin e fushës do të rikthehet titullar Krymi që së bashku me Jonuzin e Markun do të jenë në qendër. Ndërkohë, i vetmi dyshim është në sulm, aty ku Avdijaj dhe Dilaver luftojnë për një vend. Hoxhaj dhe Da Silva do të jenë nga krahët, ndërsa në stol mbetet Demir Imeri.